Aktori i njohur amerikan Jim Carrey nuk ka dërguar asnjë “zëvendësues” për të pranuar Çmimi francez “César” për arritje jetësore, pavarësisht teorive që qarkulluan në rrjet se në skenë nuk ishte ai, por një klon apo një imitues i maskuar, ka raportuar Rolling Stone.
Javën e kaluar, Carrey mori pjesë në ceremoninë e “César Awards”, çmimi kombëtar i filmit në Francë dhe një nga nderimet më të larta në kinemanë franceze.
Ai u vlerësua me çmimin “César” për arritje jetësore dhe mbajti një fjalim falënderues tërësisht në gjuhën frënge, një moment i veçantë dhe i merituar, që megjithatë u zbeh nga spekulime online.
Duke qenë se Carrey nuk shfaqet shpesh në ngjarje publike, disa përdorues në rrjete sociale nisën të aludonin me shaka se ndoshta ai kishte dërguar një imitues në vend të tij. Por thashethemet morën përmasa të tilla saqë reaguan zyrtarisht si përfaqësuesit e aktorit, ashtu edhe organizatorët e ngjarjes.
“Jim Carrey mori pjesë në ‘César Awards’, ku pranoi çmimin “César” për arritje jetësore”, ka thënë për Rolling Stone zëdhënësja e tij, Marleah Leslie.
Ndërkohë, Gregory Caulier, delegati i përgjithshëm i “César Awards”, ka thënë për Variety se këto teori “nuk meritonin vëmendje” dhe e quajti pranimin e çmimit nga Carrey “një moment historik”.
Sipas Caulier, aktori kishte planifikuar pjesëmarrjen që prej verës dhe ishte “jashtëzakonisht i lumtur për ftesën e Akademisë”.
“Ai punoi për muaj të tërë mbi fjalimin e tij në frëngjisht, duke më pyetur për shqiptimin e saktë të disa fjalëve. Erdhi me partneren e tij, vajzën, nipin dhe 12 miq e familjarë të afërt. Zëdhënësja e tij e kahershme e shoqëroi. Miku i tij i vjetër, Michel Gondry, me të cilin ka realizuar një film dhe dy seriale, ishte aty dhe u gëzuan shumë që u panë sërish… Ajo që më kujtohet është bujaria e tij, mirësia, dashamirësia dhe eleganca”, ka thënë Caulier.
Thashethemet nisën pasi përdoruesit në rrjete sociale komentuan pamjen e tij gjatë ceremonisë.
Disa postime ishin thjesht humor, por të tjera u kthyen në teori konspirative, duke përfshirë edhe një video të vjetër ku Carrey thotë “Unë nuk ekzistoj”, një deklaratë që në fakt kishte të bënte me reflektimet e tij mbi aktrimin, famën dhe ndërtimin e imazhit publik.