55-vjeçari shqiptar, Osman Shaptafaj e ka vrarë vajzën e tij dhe dhëndrin pasi nuk po mund ta pranonte largimin e saj.
Vajza e tij, Lindita Musai, 25 vjeçe po përpiqej të fillonte një jetë të re larg tij. Mediat australiane shkruajnë se Shaptafaj kishte një marrëdhënie të tensionuar me familjen e tij.
Lindita Musai ishte përpjekur ta fillonte një jetë të re larg babait të saj por ëndrra e saj u pre në mes pasi u qëllua me breshëri plumbash së bashku me burrin e saj në prag të Vitit të Ri.
Daily Mail Australia shkruan se Lindita kishte frikë nga babai i saj Osman Shaptafaj. Një anëtar i familjes, i cili dëshironte të mbetej anonim, tha që Lindita Musai kishte duruar një ‘torturë’ nga babai.
“Unë thjesht do të them se nuk kishte të bënte me formimin e tij ose me besimin e tij, pasi ai nuk ka besim”, tha burri.
Anëtari i familjes në një gjendje të rënduar foli pas spekulimeve për arsyet që çuan në vrasjen e çiftit të të rinjve shqiptarë.
Ai pretendoi se vajza e vrasësit të dyshuar ishte larguar me guxim për të filluar një jetë paqësore me burrin e saj por që përfundoi në tragjedi pasi çifti u sulmua në shtëpinë e tij në Yarraville, Western Melbourne.
Edhe vetë 55-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë pasi qëlloi edhe veten me armë duke tentuar të vetëvritej pas krimit./GE