Zgjodhi një natë festive të djalit të saj të vogël që ta tmerrojë gjithë familjen. Shukrije Shala, 39-vjeçe nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë veç pak orë para se djali t’i mbushë 7 vjet, vendosi që t’i japë fund jetës.
Gjeti armën e burrit dhe mbyti veten me plumb në kokë. E ndjera ishte e martuar dhe la pas 3 fëmijë.
Gjeti dhomën e fjetjes që t’i japë fund jetës. Shukrije Shala, 39-vjeçe nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë, me një plumb revoleje në kokë i dha fund jetës mbrëmjen e së martës në shtëpinë e saj. Ajo la pas tre fëmijë, më i madhi 16 e më i vogli 7-vjeç. Trupi i pa jetë pritet që të varroset sot në orët e para të mbrëmjes në varrezat e fshatit Maxhunaj të Vushtrrisë.
Kunati i 39-vjeçares i ka thënë Expressit se e ndjera (gruaja e vëllait të tij), tash e disa kohë kishte qenë duke përdorur ilaçe kundër depresionit. Ai ka thënë se ajo nuk ka pasur ndonjë problem me bashkëshortin dhe se kanë pasur jetë të lumtur familjare.
Kunati ka rrëfyer për momentin kur e ka gjetur kunatën në dhomën e saj pa shenja jete. Thotë se familjarët kanë qenë në katin e poshtëm të shtëpisë dykatëshe. 39-vjeçarja, në dhomën e saj të gjumit, që ndodhej në katin e dytë të shtëpisë familjare, e kishte qëlluar veten me armë në pjesën e djathtë.
“Në momentin kur e ka kryer aktin ajo ka qenë vetë në dhomë. Kur i kemi dëgjuar krismat kemi shkuar lart dhe e kemi pa. Ajo vuante nga depresioni dhe ka qenë duke përdorur terapi”, thotë ai.
Familja ka tentuar që ta dërgojë të ndjerën te mjeku për t’i dhënë ndihmë, por ajo ka ndërruar jetë porsa ishte futur më mjetin e transportit për t’u dërguar në emergjencë.
“Kemi tentuar me e dërgu te mjeku por posa e futëm në kombi e pamë që ka dhënë shpirt. Aty e kemi lajmëru policinë. Ka ardhur edhe ndihma e shpejtë, por nuk ka arritur që të mbijetojë”, ka thënë kunati i 39-vjeçares që i dha fund jetës natën e së martës.
Familjarët tregojnë edhe se të ndjerës, para më shumë se një viti, i kishte vdekur një foshnjë nëntëmuajshe. Nga ajo kohë ajo nuk ishte ndier mirë me shëndet.
“Një foshnjë 9-muajshe i ka vdekur para një viti. Gjendja ekonomike nuk është shumë e mirë. Armën ajo e ka gjetë në shpi”, thonë anëtarë të familjes.
Njëri nga familjarët thotë se e ndjera kishte tentuar edhe disa herë të tjera që t’ia marrë jetën vetes.
“Ajo ka tentuar edhe disa herë të tjera. Por vjehërri e ka ndalur”, thotë një familjar tjetër.
Edhe policia e Kosovës është duke u marrë me këtë rast. Këta të fundit kanë thënë për Express se rasti është duke u trajtuar si “vdekje e dyshimtë”.
Avni Zahiti nga zyra për informim e Policisë së rajonit të Mitrovicës tha se viktima ka bërë vetëvrasje, mirëpo Policia po merret me rastin deri në zbardhjen e tij të plotë.
“Rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje. Bëhet fjalë për një femër rreth 39-vjeç. Një armë dhe një gëzhojë është gjetur në vendin e ngjarjes, rasti është nën hetime”, tha Zahiti.