Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), së bashku me një grup të organizatave mediatike, shoqatave dhe sindikatave, i është drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke u bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të gjuhës diskredituese dhe denigruese në drejtim të gazetarëve, të organizuar nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Për: Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani
Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti
Dërguar në mënyrë elektronike 10 shkurt 2022
E nderuara Presidente Vjosa Osmani, I nderuar kryeministër Albin Kurti, Ne, organizatat e të cilat kemi nënshkruar, bëjmë thirrje për t’i dhënë fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj mediave nga zyrtarë dhe individë të lidhur me partinë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Ditëve të fundit jemi shqetësuar nga mesazhet në rrjetet sociale me origjinë nga politikanë dhe zyrtarë që kanë shërbyer për të nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve. Këto përfshijnë, për shembull, komentet në Facebook nga zëdhënësit dhe këshilltarët për media të Zyrës së Kryeministrit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, duke folur në emër të partisë që përfaqësojnë, nënkuptuan se media u përpoq të përmbyste dhe minonte Presidenten përmes këtyre raportimeve. Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të Presidentes, Prindon Sadriut, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar, veçanërisht në Ballkan.
Si tërësi, këto komente kanë rezultuar efektivisht në një vullkan abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë për synim gazetarët dhe aktivistët kritikë dhe të pavarur, veçanërisht gratë. Për më tepër, veçanërisht kur përdoren terma të tillë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kemi frikë se komente të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore.
Rasti në fjalë rrjedh nga një artikull i botuar nga një media online dhe i ribotuar nga një tjetër më 4 shkurt, në lidhje me shpenzimet e karburantit të deputetëve të parlamentit. Këto publikime përfshinin një gabim dhe më vonë u ndryshuan, së bashku me një falje publike. Është e rëndësishme që të gjitha mediat të respektojnë standardet profesionale dhe të ndjekin Kodin e Etikës gazetareske. Megjithatë, vlerësojmë se përgjigja ndaj këtyre gabimeve nga zyrtarë të caktuar qeveritarë dhe partiakë ka qenë jo proporcionale dhe ka sjellë armiqësi të pajustifikuar ndaj mediave.
Për më tepër, përdorimi i gjuhës diskredituese përshtatet në një kontekst më të gjerë problematik me anë të së cilit individët e lidhur me Vetëvendosjen përpiqen të minojnë besimin e publikut në media. Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve kritikë dhe të pavarur, është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt rrëqethës që minon vlerat demokratike. Në veçanti duke marrë parasysh ambicien e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është me rëndësi të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive dhe figurat publike të respektojnë lirinë e medias dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Prandaj, i bëjmë thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të sigurojnë se një gjuhë e tillë nxitëse e drejtuar ndaj mediave nga aparati i tyre partiak të pushojë, tani dhe në të ardhmen.
Nënshkruar nga:
ARTICLE 19
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Indeksi mbi censurën Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Rrjeti SafeJournalists (Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë, Asociacioni i Gazetarëve të BH, Asociacioni i Gazetarëve Kroatë, Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë, Sindikata e Mediave të Malit të Zi)
Fondacioni Daphne Caruana Galizia