Instituti EdGuard thotë se ka vëzhguar me kujdes ecueshmërinë e mbajtës së testit të maturës 2017, në të dy datat e mbajtura.
Kjo organizatë vlerëson që testimi ka përfunduar me sukses, mirëpo me mangësi të theksuara në administrim. “Komunikimi mes nxënësve gjatë testimit, përdorimi i pajisjeve komunikuese, shpërndarja e testit online, dhe shkëmbimi i përgjigjeve nga jashtë, paraqesin disa nga parregullsitë e evidentuara”.
“Përkundër që ka pasur shkelje të rregullave të testit nga nxënësit, të njëjtit kanë ngelur të pandëshkuar për veprimet e tyre. Të pyetur për ecueshmërinë e testimit, nxënësit kanë etiketuar rigorozitetin jo të barabartë të administruesve në klasa. Ky shqetësim, si i tillë, vlerësojmë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e testimit”, thekson EdGuard, në një komunikatë për medie.
“Në përgjithësi, nxënësit janë shprehur te kënaqshëm me pyetjet e parashtruara, mirëpo një numër shumë i vogël i tyre në të vërtetë janë deklaruar të përqendruar në përgjigjet e parashtruara, që në masë të madhe është indikator i tendencës për kopjime në testim”.
“Për shkak të administrimit jo të mirëfilltë Instituti EdGuard vlerëson që mangësi të tilla cenojnë validetin dhe besueshmërinë e testimit. Implikimi i dështimit në administrim të testit të maturës është më i gjerë sesa perceptimi momental që kemi për të. Një testim i tillë, në formatin aktual, është pikë nisja e një hallke të mangësive të thella në arsimin e lartë në vend”, thekson Instituti EdGuard.