Instituti për Studime në Edukim në Prishtinë (EdGuard), në një reagim rreth vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e organeve udhëheqëse të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), thotë se ky vendim nuk është i befasishëm.
Por, shton se është shqetësuese mungesa e argumentimit të një vendimi të tillë dhe thekson rëndësinë që kjo të bëhet publike sa më parë.
Reagimi i plotë:
Duke qenë që kemi hulumtuar këtë proces për tashmë gjashtë muaj, mund të përfundojmë që vendimi i Kryeministrit nuk është për t’u konsideruar i befasishëm. Është
shqetësues mungesa e argumentimit për një vendim të tillë, dhe rëndësisë që kjo të bëhet publike sa më parë.
Rikujtojmë që mungesa e transparencës gjatë procesit të akreditimit, ka mundësuar që për opinion të vihen publike vetëm vendimet finale, dhe asnjëherë procesi i verifikimit. Në veçanti është shqetësues akreditimi i kolegjeve private duke u bazuar në plotësim të kushtit të profesorëve të rregullt të deklaruar, ku po të njëjtit janë të angazhuar në institucione tjera. Ky anashkalim i “rastësishëm” i më se 80 rasteve të tilla, e që paraqet kriterin kyç për akreditim, paraqet shqetësim serioz për kredibilitetin e vendimeve të fundit të marra nga AKA.
Të thirrurit e agjencisë në mbyllje të programeve, në të shumtën e rasteve kanë qenë të përkohshme, më shumë si periudhe shitblerjesh të profesorëve, me shumicën e programeve të rikthyera në ndërkohë.
Është paradoksale të thirret për ruajtje të pavarësisë të institucionit, kur i gjithë mekanizmi udhëheqës i agjencisë është i emëruar politikisht. Funksionimi i AKA-së nuk paraqet diçka më ndryshe sesa në institucionet e tjera të pavarura në vend.
Instituti EdGuard shpreson që vendimi i marrë për shkarkim ka për bazë shkeljet e bërë nga AKA, dhe asnjëherë i ndikuar nga interesa të ngushta politike. Matës të përkushtimit qeveritar për ndryshim të gjendjes në AKA do të jenë të përzgjedhurit e organeve të reja udhëheqëse të këtij institucioni.
Instituti EdGuard thotë se avokon në vazhdimësi që procesi i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend të bëhet nga agjenci kredibile ndërkombëtare të akreditimit, si mundësi e vetme e filtrimit dhe krijimit të institucioneve cilësorë të arsimit të lartë në vend.