Edhe 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur në zgjedhjet e 7 qershorit – sonte mbyllet afati për aplikim të subjekteve të reja politike

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 21:01 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se përveç 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, edhe 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, pritet të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sonte, më 10 maj, në orën 24:00 do të përmbyllet periudha për subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të dorëzuar aplikimin online për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për Express se “deri rreth orës 19:00 të ditës së sotme, KQZ ka pranuar aplikimin për certifikim nga 3 koalicionet e njoftuara më herët për këto zgjedhje, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”.

Sipas tij, subjektet e reja që kanë paraqitur aplikimin për certifikim, janë:Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga partitë politike Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane;

–            Koaliconi “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan;

–            Koalicioni “Ashkalitë e Bashkuar”, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim;Nisma qytetare “Složno Pobeđujemo”; dhe

–            Kandidati i pavarur Esmir Kasi.

Elezi ka sqaruar se “sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj aplikimi për certifkim, i cili do të përmbyllet në mesnatë, vlenë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”.

Ndërkaq, dy ditë më pas, më 12 maj, sipas KQZ-së do të përmbyllet afati 11-ditor për të gjitha subjektet e reja politike dhe partitë politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë.

Të ngjashme