Ndërkohë që shumica e Federatave Europiane të Futbollit kanë zyrtarizuar datat e rifillimit të këtij sezoni për t’i përcaktuar verdiktet në fushë, ka edhe nga liga që kanë zgjedhur rrugën e kundërt duke mbyllur përpara kohe kampionatet dhe duke lënë në fuqi renditjen aktuale.
Shteteve të tilla si Franca, Holanda, Belgjika, Skocia e Qipro u është bashkuar edhe një vend ballkanik si Bosnje-Hercegovina. Federata boshnjake e futbollit ka vendosur të mbyllë përfundimisht këtë sezon futbollistik edhe pse numri i të prekurve me COVID-19 në këtë shtet është diçka më shumë se 2500 persona dhe aktualisht kanë humbur jetën 157 veta, shifra të ulta këto që bëjnë disi të palogjikshme mbylljen përfundimtare të kampionatit.
Me mbylljen e parakohshme të sezonit, titulli kampion ka shkuar për të dytin vit radhazi për skuadrën e Sarajevos, ndërsa nga kategoria kanë rënë Celik dhe Zvijezda.