Edhe Britania do t’ia japë dozën e tretë një grupi të popullsisë

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Gjysmë milioni britanikë do të mund ta marrin dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19. Ky vendim pritet ta nxisë debatin për ofrimin e dozës së tretë për popullsinë më të gjerë.

Sistemi publik shëndetësor në Britani do ta ofrojë dozën e tretë për personat mbi moshën 12-vjeçare që kanë sistem të dobësuar imunitar në kohën kur të vendoset nga mjekët e tyre. Vendimi u mor pas rekomandimit të Komisionit të Përbashkët Qeveritar për Vaksinim dhe Imunizim.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se këto doza nuk janë përforcuese, që jepen për ta zgjatur mbrojtjen nga virusi, por pjesë e programit parësor të vaksinimit për 400 mijë deri në 500 mijë pacientë të ndjeshëm. Sipas një studimi të ri, rreth 40 për qind e personave me sistem imunitar të dobësuar nuk mund të ndërtojnë reagim të fuqishëm imunitar as pas marrjes së dy dozave të vaksinës.

Në mesin e personave që i plotësojnë kushtet për marrjen e dozës së tretë janë pacientët me sëmundje të caktuara si HIV/AIDS dhe leukemi, të cilët kanë sistem imunitar të dobësuar, si dhe ata që janë duke përdorur ilaçe që e dobësojnë sistemin imunitar, shkruan The Guardian.

Ndryshe, Britania e Madhe është mbështetur kryesisht në dozat e kompanisë AstraZeneca, por duke i cituar dëshmitë më të shumta, komisioni qeveritar rekomandoi që doza e tretë për adoleshentët të jetë e kompanisë Pfizer, ndërsa për ata mbi 18 vjeç të jetë vaksinë e kompanive Pfizer ose Moderna.

Të ngjashme