Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka kërkuar nga organet shtetërore që të shpallet ditë zie në Kosovë pas aksidentit në Kroaci, ku humbën jetën 10 persona.
Ai këtë kërkesë e bëri përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku edhe u shprehu ngushëllime familjarëve të të vdekurve nga ky aksident, përcjell Klankosova.tv.
“Bashkëndjejmë me familjarët e udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të lenduarve, duke besuar që shteti kroat dhe ai i yni ta bëjnë maksimumin në ndihmë të qytetarëve tanë që pësuan nga ky fatalitet. Kërkoj nga organet shtetërore që në nderim të viktimave, dita e nesërme të shpallet ditë zie në mbarë vendin”, ka shkruar Haradinaj.
Ai gjithashtu tha se vendi ynë u trondit në këtë mëngjes nga aksidenti fatal që ndodhi sot në Kroaci.
Ndryshe, edhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga Presidentja e Kosovës që ditën e nesërme ta shpallë ditë zie.