Gjykata Themelore e Ferizajt u ka vazhduar edhe dy muaj paraburgimin dy të dyshuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiut.
Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Paraburgimi për dy të dyshuarit po vazhdohet që disa herë.
Ndryshe, më 25 gusht 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, për herë të parë kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër Dardan Krivaqës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Dyshohet se Dardan Krivaqa më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje dhe në mënyrë mizore për motive të ulëta ka ushtruar fillimisht dhunën psikike ndaj 18 vjeçares, Marigona Osmani, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë.
Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur.