Edhe Gjuriqi lavdërohet me dokumentin e nënshkruar me KFOR-in

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Menjëherë pas adresimit të Vuçiqit, edhe shërbëtori i tij besnik i cili për besnikërinë ndaj liderit suprem u shpërblye me pozitën e ambasadorit në SHBA, Marko Gjuriq, ka pretenduar se dokumentet e reja të BE-së dhe SHBA në KFOR “paraqesin një burim të ri të sigurisë politike dhe juridike në veri të Kosovës”, i cili “ka përmirësuar pozitën juridike dhe politike të palës serbe krahasuar me periudhën para barrikadave”, duke justifikuar kështu liderin e tij suprem për dorëzimin dhe vendimin për largimin e barrikadave në veri të Republikës së Kosovës.

“Besoj se në periudhën e ardhshme, me unitet të fortë me popullin tonë në Kosovë, me mendje të ftohtë, me takt dhe mençuri, do të vazhdojmë t’i çojmë gjërat përpara në rrethana shumë komplekse ndërkombëtare në favor të të drejtave të popullit serb dhe paqes për të gjithë”, ka shkruar Gjuriq në Twitter.

Ai ka pretenduar se kumtesa e përbashkët i SHBA dhe BE-së, kumtesa e KFOR-it dhe “lirimi” i ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq në arrest shtëpiak, i japin atij përshtypjen “se jemi disi më afër ruajtjes së paqes, një shkallë pak më e lartë e mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore serbe se para krizës së shkaktuar nga veprimi i Kurtit”.

Ish-pjesëtari i policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, u lirua në arrest shtëpiak, SHBA-të dhe BE-ja dhanë garanci se listat për arrestimin e serbëve nga Kosova nuk ekzistojnë, dhe KFOR-it se Forcat e Sigurisë së Kosovës “nuk do të mund të hyjnë në veri të Kosovës pa lejen” e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga serbët e veriut të Kosovës që t’i largojnë barrikadat për shkak se kërkesat e tyre “janë plotësuar”, duke “harruar” edhe kërkesat për formimin e Asociacionit dhe tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Të ngjashme