Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajrorë (SINKON) përmes një kumtese për media ka shprehur shqetësim ndaj projektligjit për pagat.
Gjatë kohës kur është diskutuar çështja e pagave dhe kur ky projektligj ka qenë në diskutim publik, ‘SINKON’ ka dhënë vërejtjet e veta në projektligj.
“Si rrjedhojë, neni 27 i projektligjit parashihte trajtim të veçantë për kontrollorët e trafikut ajrorë për shkak të rëndësisë që ka ky profesion në funksionimin e shtetit të Kosovës. Së voni, kemi mësuar që ky nen është larguar i tëri nga ligji. Kontrolli i trafikut ajror është marrë si funksion nga KFOR-i në vitin 2004 dhe që nga ai vit kontrollorët e trafikut ajror kosovarë pos ofrimit të shërbimeve të trafikut ajror janë përgjegjës në bashkëveprim me NATO/KFOR edhe për ruajtjen e hapësirës ajrore të Kosovës. Në vitin 2010 Qeveria e Kosovës përmes marrëveshjes për Partneritet Publiko-Privat është obliguar ndaj koncensionarit Limak-Aeroport de Lyon që do t’i ofrojë shërbimet e navigimit ajror, përndryshe obligohet t’i kompensojë dëmin e shkaktuar”, bëhet e ditur në kumtesë.
Më tej në kumtesë bëhet e ditur se aktualisht, në Kosovë janë vetëm 22 kontrollorë të trafikut ajror nga 32 sa ishin më parë. Sipas SINKON, me këtë ligj mbetet e paqartë pozita e tyre.
“10 kolegë tanë (mbi 30% e personelit) tashmë janë duke vazhduar karrierën jashtë Kosovës, fakt që dëshmon se këta profesionistë janë të pakënaqur me pagat e tanishme. Me këtë ligj mbetet e paqartë pozita e kontrollorëve të trafikut ajrorë. Nëse pagat e tanishme të kontrollorëve të trafikut ajror zbriten si rrjedhojë e ligjit, atëherë kjo do të ketë pasoja të pakëndshme për shtetin tonë. Shqetësimi ynë është përcjellur tek IFATCA dhe ATCEUC! Me këtë ligj, Kosova rrezikon të humbasë 22 kontrollorët të fundit të trafikut ajror (të cilët kanë investuar në sigurinë dhe cilësinë trafikut ajror në Republikën e Kosovës ) që i ka. Ftojmë institucionet e Kosovës që të jenë të arsyeshme dhe të “MOS E MBYLLIN PORTËN E VETME AJRORE TË KOSOVËS ME BOTËN!”, bëhet e ditur në përfundim të kumtesës.
Kohëve të fundit në Kosovë punëtorë të sektorëve të ndryshme publike janë në grevë pikërisht për shkak të koeficientit të artë në disa kategori dhe të ulët në kategori tjera. Arsimi ka hyrë në javën e tretë të grevës, ku po kërkojnë rritje të koeficientit. Po ashtu për arsye të njëjtë, grevë kanë mbajtur edhe kirurgët.