“Edhe ne dyshojmë për…”, Jetulla Qerimi flet për vdekjen e vëllait Rexhailit në burg

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Ish-pjesëtari i UÇK’së, Rexhail Qerimi, i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”, ka vdekur mbrëmë.

Për vdekjen e tij ka folur vëllai i tij, Jetulla Qerimi. Ai ka thënë se fillimisht nga burgu iu kanë thënë se është alivanosur.

“Na paraqitën prej burgut, na thanë se është alivanosë, edhe e kanë marrë e kanë çu në spital. Ne shkuam te spitali dhe nuk erdhën, pritëm 2-3 orë. Diku në rrugë kinse ka vdekë dhe ato prapë e kthejnë në spital dhe mbrëmë na lajmëruan se ai ka dhënë shpirt, sapo e prunëm kufomën në shpi, jemi demoralizu me këtë padrejtësi që e bëri shteti qe 13 vjet e gjysmë, kjo është një turp i shtetit, një shtetit kriminal, shteti të padrejtë, kjo është katastrofë. Këtë nuk mund ta bëjë një njeri që ka pak ndjenja njeriu”, ka thënë ai.

Lajmin për vdekjen e tij thotë se e kanë marrë rreth orës 2 të natës, derisa ka shtuar se kanë dyshime për rastin.

Varrimi i të vëllait thotë se do të bëhet nesër, meqenëse janë në pritje të familjarëve që jetojnë në shtetet e huaja.

“Pramë diku rreth orës 2 të natës, qathere i kemi marrë informacionet e sakta se ai ka dhanë jetë. Nuk e dimë, tash momentalisht edhe ne dyshojmë për shkak se ky shtet e kemi pa se çfarë është, kur 14 vjet kanë bë padrejtësi të madhe në të, edhe kjo është një padrejtësi që i kanë bë këtij personi. Tash të shohim, e do të vazhdojmë me disa kërkesa tona që i kemi, por kjo është definitivisht turp. Nuk duhet as të ekzistojë ky shtet kështu. Varrimi besoj se do të bëhet nesër për shkak që i kemi disa që i kemi në kurbet, na kanë lajmëruar se janë nisur në mëngjes dhe do të vijnë sigurisht kah mesnata”, ka thënë Jetulla Qerimi.

Ndryshe, Alsat raporton se rrethanat e vdekjes nuk dihen ende, por sipas burimeve jozyrtare, Qerimi ka vdekur si pasojë e një sulmi në tru.

Të njëjtat burime të mediumit thonë se Qerimi është gjetur pa ndjenja në banjën e burgut, ndërsa ka vdekur gjatë transportit për në spital.

Trupi i pajetë i Qerimit është tërhequr mbrëmë nga morgu.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Rexhail Qerimi, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Alfa”në vitin 2010

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme