Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka mbajtur premtimin që e ka dhënë gjatë fushatës.
Komuna sot ka filluar shpërndarjen e kifleve dhe qumështit për nxënësit e ciklit të ulët.
“Gjatë vizitës së sotme bëra shumë shokë. Të gjithë të qeshur sepse vetëm me qejf mësohet. Jam frymëzuar pa masë prej atyre që po i hyjnë shkollës për t’iu hapur botës. Shkolla është vendi ku e shohim aktualitetin e së ardhmes. Ushqimi, ngrohja e veshmbathja janë kushtet minimale për një proces normal mësimor. Do të bëjmë gjithçka që shkollarët tanë përgjatë kohës së mësimit ta kenë mendjen vetëm aty”, ka thënë Kastrati në një postim në Facebook.
Ai ka thënë po ashtu se Arsimi është fusha me prioritetin më të lartë në Kamenicë dhe theksoi se reforma që po ndërmarrin është gjithëpërfshirëse.
“Ajo ia kushton vëmendjen kryesore nxënësit, riorganizon shkollën gjeografikisht, dhe lufton klientelizmin në rekrutim të stafit për ta përmirësuar mësimnxënies”, u shpreh më tej kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Bashkë me Kastratin në shpërndarje të kifleve ka qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili këtë praktikë e kishte filluar në mandatin e tij të parë.