Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj secilit veç e veç, Vladimir Toliqit, Blagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit, të dyshuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muaj”, thuhet në përgjigjen e saj për Klankosova.tv
Ata gjenden në paraburgim nga 26 shtatori i vitit të kaluar.
Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.