Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë e përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit/OST të Republikës së Shqipërisë dhe Operatorit të Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut – KOSTT sh.a.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci duke prezantuar projektligjin para deputetëve tha se qëllimi i tij është bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive, nëpërmjet organeve përgjegjëse për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut KOSTT.
“Objektiv kryesor është krijimi i zonës rregulluese dhe me këtë edhe integrimi në mekanizmin regjional i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë elektrike”, tha Stavileci.
Sipas tij, kjo do të mundësonte zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet sistemeve energjetike të të dyja vendeve për të optimizuar kostot financiare dhe për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike në përmbushjen e dispozitave ligjore të direktivave përkatëse të legjislacionit të BE-së, si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.