Pas Milanit e Napolit, “Biancocelesti” bëhen ekipi i tretë italian që hyn në garë për futbollistin kosovar
Milot Rashica ka nisur të bëhet objektiv i shumë klubeve evropiane. Futbollisti kosovar do të largohet nga Werder Bremeni gjatë verës pasi klubi gjerman ra në ligën e dytë. Dhe, interesim për përfaqësuesin kosovar kanë shfaqur klubet gjermane, angleze dhe ato italiane. E në garë për futbollistin ofanziv së fundmi është futur edhe Lazio.
Mediat italiane shkruajnë se klubi italian synon ta sjellë në stadiumin “Olimpico” edhe një kosovar, pas Vedat Muriqit. Drejtori sportiv, Igli Tare është duke punuar në këtë drejtim dhe mund ta ketë më të lehtë pasi është bashkëkombës me Rashicën. Sulmuesin e krahut, Lazio mund ta bëjë të vetin për 10 deri në 12 milionë euro.
Por, “Biancocelesti” kanë konkurrencë të fortë për ish-futbollistin e Vushtrrisë dhe Vitesses. Në Itali, Rashicën e pëlqejnë edhe Milani e Napoli. Kurse, në Gjermani e ndjekin qe një kohë, Leipzigu, Bayer Leverkuseni, Bayern Munichu, Borussia Dortmundi, Wolfsburgu dhe Eintracht Frankfurti.
Kurse, në Angli e do më së shumti Aston Villa, por nuk mbeten prapa as West Hami dhe Southamptoni. Si alternativë të Rashicës, Lazio e ka Xherdan Shaqirin, i cili megjithatë kushton më shtrenjtë. Rashica i ka realizuar tre gola dhe i ka dhuruar pesë asistime në 26 ndeshjet e sezonit të fundit me ekipin gjelbër e bardhë.