Emanuele Ndoj, mesfushori i Brescias, mund të transferohet në Serie A gjatë afatit kalimtar të janarit
Një tjetër futbollist i ri shqiptar mund të bëhet shumë shpejt pjesë e klubeve të Serisë A, të cilat kanë shfaqur interes konkret për të. Bëhet fjalë për Emanuele Ndoj, i cili po luan rregullisht me Nrescian në Serinë B dhe po ndiqet me interes nga klube të njohura. Konfirmimi ka ardhur nga administratori i përgjithshëm i këtij klubit, Rinaldo Sgramol.
“Interesimi i Genoas për Morosinin është i ditur, por mund të them të njëjtën gjë për Bizolin, për të cilin interesohen shumë klube të tjera në A, ashtu si edhe për Ndojin. Shpresoj që të gjithë të qëndrojnë deri në fund të sezonit këtu, edhe nëse arrijmë t’i shesim në janar, por nuk mund të garantoj asgjë”, deklaroi ai për mediat italiane.
Vetë futbollisti ka thënë se për momentin është i lumtur që luan rregullisht me ekipin e parë të Brescias. “Të kalosh nga të rinjtë te ekipi i parë nuk është asnjëherë e lehtë, kohët dhe ritmet e lojës janë shumë të ndryshme, por ndjehem i kënaqur pasi kam luajtur mjaftueshëm deri tani”, deklaroi Ndoj.
“Shpresoj që në vitin e ri të gjej edhe më shumë hapësira pasi kur hyj në fushë dua të përmirësohem gjithmonë. Merkato? Kënaqesh kur dëgjon gjëra të tilla, por nuk di asgjë për merkaton. Unë mendoj vetëm për të bërë sa më mirë me fanellën e Brescias”, tha Ndoj për mediat italiane.
Ndoj u transferua në verën e vitit 2016 nga akademia e Romës te Brescia, pasi klubi në fjalë pagoi 1,2 milionë euro për kartonin e mesfushorit të talentuar i cili në të kaluarën ka luajtur me kombëtaret U-17 dhe U-19 të Shqipërisë. Futbollisti po monitorohet aktualisht jo vetëm nga stafi i U-21, por edhe nga trajneri De Biasi.