Edhe një shtet aziatik e pezullon vaksinën e AstraZeneca-s

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Tajlanda e ka pezulluar përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” kundër Covid-19 për shkak të raportimeve për paraqitjen e mpiksjes së gjakut te disa pacientë të vaksinuar, pavarësisht mungesës së dëshmive për ndonjë lidhje mes vaksinës dhe këtij problemi shëndetësor.

Kryeministri i Tajlandës, Prayut Chan-o-cha, kishte planifikuar që ta fillonte zyrtarisht fushatën e vaksinimit duke e marrë vetë atë të premten. Megjithatë, ky plan tashmë është anuluar, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Rreth pesë milionë evropianë tashmë e kanë marrë vaksinën e “AstraZeneca”-s. Nga kjo shifër, te rreth 30 persona u paraqit mpiksja e gjakut.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha të enjten se nuk ka shenja se kjo vaksinë është duke e shkaktuar mpiksjen e gjakut, duke shtuar se përfitimet që vijnë prej saj vazhdojnë të jenë më të mëdha se rreziqet.

“Ndonëse cilësia e AstraZeneca-s është e mirë, disa shtete kanë kërkuar shtyrje. Edhe ne do ta bëjmë këtë”, tha Piyasakol Sakolsatayadorn, këshilltar në komisionin për vaksinat për Covid-19 në Tajlandë.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetit Publik sqaruan se dozat që ndodhen në vendin e tyre janë tjera nga ato që janë shpërndarë në Evropë, duke shtuar se problemet me mpiksjen e gjakut nuk janë paraqitur shpesh në mesin e aziatikëve.

Më 24 shkurt, Tajlanda mori 117.300 doza të vaksinës së “AstraZeneca”-s dhe 200.000 doza të vaksinës kineze, “Coronavac”. Mbi 30 mijë njerëz në Tajlandë tashmë e kanë marrë vaksinën kineze që nga fillimi i programit të vaksinimit më 28 shkurt.

Të ngjashme