Chris Smalling ka ndjekur hapat e ish-bashkëlojtarëve, Romelu Lukakut dhe Alexis Sanchez, duke u larguar nga Manchester United për ta vazhduar karrierën në Serie A.
As N’Koulou dhe as Rugani nuk do t’i bashkohen Romës, pasi verdhekuqtë kanë zgjedhur të afrojnë në skuadër mbrojtësin anglez të Manchester United, Chris Smalling.
Marrëveshja mes dy klubeve është arritur dhe Smalling pritet të mbërrijë sot në kryeqytetin italian, për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur me Romën.
Bëhet fjalë për një transferim në huazim kundrejt shifrës së 3 milionë eurove, ndërsa drejtuesit e klubit të Romës plotësojnë dëshirën e trajnerit për t’i dhënë një mbrojtës “low cost”, por me eksperiencë.
Chris Smalling është thuajse 30-vjeçar dhe prej 9 sezonesh është pjesë e “djajve të kuq”, me të cilët ka luajtur 206 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola, ndërsa numëron edhe 31 ndeshje me kombëtaren angleze.