Edhe Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje për heqje tarifash ndaj SHBA-së

Prishtinë | 04 Pri 2025 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Qeverisë së Kosovës po i bëhet thirrje për heqjen e tarifave që kanë qenë të vendosura ndaj mallrave të SHBA-së pasi Administrata Trump i vendosi tarifë prej 10% mallrave kosovare që shkojnë në SHBA.

Këtyre thirrjeve i është bashkuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, e cila tha se “e mbështet fuqishëm” thirrjen e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane.

 “Kjo thirrje fuqizon thirrjen tonë për pezullimin e tarifave doganore për mallrat amerikane dhe nënvizon rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është një hap i rëndësishëm për të avancuar tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar”.

Oda Ekonomike e Kosovës tha se konsideron se heqja e tarifave doganore për produktet amerikane do të hapte mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe do të kontribuonte në rritjen e mundësive të tregtisë dhe investimeve.

“Ky veprim do të forconte marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe do të shënonte një hap të madh drejt një tregtie më të lirë”.

“Oda Ekonomike e Kosovës beson se veprimet që forcojnë lidhjet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ato që janë të bazuara në interesa të përbashkëta dhe vlera ekonomike, janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Në këtë kuadër, Oda Ekonomike e Kosovës fton Qeverinë e Kosovës që të veprojë shpejt dhe të marrë vendimet e duhura që do të mundësojnë heqjen e tarifave doganore dhe avancimin e partneritetit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratën e Odës Ekonomike të Kosovës.

Të ngjashme