Kuvendi i Kosovës sot me fillim prej orës 10:00 do të mbajë seancën e rradhës plenare.
Në rend dite janë edhe pikat e papërfënduara të rendit të ditës, përfshirë edhe votimin për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidit serb në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Ndonëse nuk morrën pjesë në seancën e fundit të javës së kaluar ku u diskutua kjo çështje, LDK dhe VV duket se kanë ndryshuar qëndrim.
Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi për lajmi.net ka thënë se subjekti i tij do të marrë pjesë në seancën e sotme.
“Me sa di unë, do të marrim pjesë, veç nëse ka naj ndryshim të madh”, ka thënë shkurt Kurteshi për lajmi.net.
Ndërkohë edhe nga LDK-ja e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Deputeti i këtij subjekti, Naser Rugova ka thënë për lajmi.net se partia e tij do të marrë pjesë në seancën e sotme ku edhe do të shpalosë qëndrimin e saj.
“Ne sigurisht se do ta marrim pjesë në seancën e sotme, dhe do të shpalosim qëndrimet tona”, ka thënë Rugova.
Kujtojmë, se VV e LDK e kishin bojkotuar seancën e kaluar ku ishte në rend të ditës të votoj Komisioni Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.
Kjo për arsyen e publikimit të fotografisë nga deputetja e VV-së, Flora Brovina, e cila pretendonte se shpërfaqte dhunimet e forcave serbe në Kosovë, mirëpo që më pas doli të jetë e rremë.