Edhe pesë minatorë grevistë dërgohen në Emergjencë – Sindikalisti Jonuzi thotë se Bordi nuk ka vullnet dhe ndjenja njerëzore

Mitrovicë | 27 Tet 2023 | 12:28 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pesë minatorë të tjerë të Trepçës, të cilët kanë hyrë në grevë qe katër ditë në horizontet e minierës, janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Mitrovicës, pasi iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Përkundër kësaj minatorët e “Trepçës”, do të vazhdojnë grevën, i ka konfirmuar Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.

Ai ka përsëritur kërkesat e minatorëve e që janë realizimi i pagave me kohë, shkarkimi i menaxhmentit si dhe sigurimi shëndetësor. 

Jonuzi tha se kanë pasur takim me Bordin e ndërmarrjes, por nuk kanë gjetur zgjidhje.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë personave përgjegjës që të marrin masa ngase po rrezikohet jeta e minatorëve.

“Kërkesat janë realizimi i pagës mujore me kohë, kushtet e punës dhe kemi kërkuar llogaridhënie për dorëheqjen  e kryeshefit ekzekutiv si dhe sigurimin shëndetësor”.

“Po bëhet dita e katërt që jemi duke grevuar. Nga këtu tani iu bëj thirrje, iu them se dikush duhet të mbajë përgegjësi për jetën e njerëzve që janë atje”.

“Tani sa po vijmë nga një takim pas katër ditësh me Bordin Mbikëqyrës. Ke shumë takim tendencioz, shumë fyes ndaj neve. Ata ende nuk kanë gjetur vullnetin me i pa njerëzit, njerëz të sëmurë njerëz me vështirësi me frymëmarrje, kokëdhembje për shkak qëndrimit të gjatë, sepse nuk kanë vullnet, nuk kanë ndjenja morale njerëzore”.

“Prandaj më nuk ka dialog. Minatorët kanë me qëndruar stoik, por gjendja shëndetësore është vetëm duke përkeqësuar. Greva do të vazhdojë”.

Ramadan Gjeloshi, minator që nga viti 1988, tha se po punojnë në kushte shumë të vështira. Sipas tij, më parë pagat i kanë marrë deri në datën 10 të muajit.

“Prej datës 6 deri me 10 e kemi marrë pagën, por ky menaxher prej që është ardh kurrë nuk na e ka dhënë pagën e plotë. Marri çka është duke u bërë këtu”.

“Kushtet janë katastrofë, çdo ditë jemi duke i nxjerr nga miniera. Unë jam minator i vjetër, i vitit 1988. Sot jam i sëmurë. Dua të jem pjesë, por nuk mundem, sepse jam me probleme shëndetësore. Kushtet janë katastrofë. Është shumë gjynah”, tha Gjeloshi për Ekonomia Online.

Të ngjashme