Anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, të shoqëruar nga anëtarët e Këshillave Greviste të Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së kanë vizituar grevistët e administratës komunale në komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i shoqatës Sindikale të Prishtinës, Ahmet Gashi, ka njoftuar se punëtorët e administratës së komunës së Prishtinës i janë pëgjigjur thirrjes për grevë, e cila sipas tij po shkon mirë dhe mbarë.
“Edhe ne jemi në grevë dhe jemi duke respektuar vendimin për grevë të përgjithshme. Greva është duke shkuar mirë dhe mbarë. Shumica e shërbyesve civil na janë përgjigjur dhe kemi hyrë në grevë”.
Ndërsa, kryetari i këshillit drejtues te BSKP-së, Ali Gashi, ka thënë se janë detyruar të hyjnë në grevë e se kërkesat e tyre përfshijnë hartimin e ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e skemave pensionale si dhe sigurimin e ligjit shëndetësor.
“Sot jemi në komunë të Prishtinës për shkak të pakënaqësisë të trajtimit nga ana e Qeverisë. Kjo është edhe arsyeja pse kemi vendosur që të hyjmë në grevë. Greva është shpallur nga BSPK”.
“Kemi qenë të detyruar të hyjmë në grevë sepse kemi dërguar ndërmjetësues te Qeveria por nuk kanë pasur disponim për kërkesat tona. Kërkesat tona janë hartimi i ligjit të pagave, plotësim-ndryshimi për skema pensionale, si dhe sigurimi i ligjit shëndetësor. Besojmë dhe shpresojmë që kërkesat të realizohen”, u shpreh ai.
Ndërsa, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë kësaj vizite, i ka bërë thirrje qeverisë të fillojë me dialog, dhe pati një lutje për kryeministrin Albin Kurti.
“Qeveria që sot të fillojë me dialogun, e lus kryeministrin Albin Kurti që së paku për hir të djemve dhe vajzave që po shërbejnë me dinjitet në polici, hatri i tyre dhe i të gjithë neve të fillojë me realizimin e kërkesave duke filluar me 100 euro. BSPK do të jetë zë i të gjithëve”.
“BSPK-ja do t’i prezantojë dhe do të luftojë edhe për policët e zjarrfikësit, sepse të gjitha janë kërkesa të njëjta”, tha ai.