Edhe sa pacientë të prekur me COVID-19 mund t’i pranojë QKUK-ja?

Prishtinë | 14 Nën 2020 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjendja me pacientët e prekur me koronavirus, është në kontroll të plotë. Ai thotë se “s’ka pacient që nuk është duke e marrë trajtimin adekuat”. Për oksigjen, Maliqi thekson se nevojat janë të mëdha, konsumi është i madh dhe duhet të racionalizohet.

Ka një rritje të dukshme të infektimit të qytetarëve me koronavirus. Me çfarë sfida po ballafaqoheni aktualisht?

Saudin Maliqi: Siç e dini, tërë rajoni, Evropa, është një rritje të numrit enorm të rasteve me infeksion, por fatmirësisht ne ende qëndrojmë shumë më mirë se shtetet për rreth. Kjo është një sfidë jo vetëm për ne, por për mbarë botën.

Në këtë sfidë një prioritet i madh është ofrimi i shërbimeve shëndetësore për pacientët në nevojë ose për ata, të cilët kanë nevojë për shërbimin tonë. Kjo nënkupton që duhet t’i ofrohet çdo pacienti, mjeku, motra adekuate, shërbimi, barnat oksigjeni shtrati të gjitha ato që janë të nevojshme.

Menaxhmenti ka bërë çdo gjë të mundshme bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, duke na përkrahur fuqishëm edhe kryeministri i Kosovës që çdo gjë të shkojë sa më mirë që është e mundur në shërbim të ofrimit të ndihmës sa më të afërt për pacientin.

Sa ka mbetur hapësirë për pranimin e pacientëve të rinj në spital?

Saudin Maliqi: Qendra Klinike është mjaft e madhe dhe ka mbi dy mijë shtretër. Qendra Klinike Universitare, ka në dispozicion disa klinika, këto klinika janë quajtur klinika COVID. Një nga to është Klinika Infektive, Klinika e Pulmologjisë, Klinika Interne , blloku që tashmë është adoptuar, është dizajnuar dhe destinuar për COVID, bashkë me mjekimin qendror intensiv COVID, duke na lënë e duke e pasur parasysh edhe klinikën rezervë, e cila është Klinika e Mjekësisë Sportive.

Si do të veproni në momentin kur nuk do të ketë më kapacitete?

Saudin Maliqi: Ne kemi hapësirë të mjaftueshme, por krahas mobilizimit të stafit dhe menaxhemntit për t’i ngritur kapacitetet e nevojshme për çështjen e pandemisë, në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë, janë duke marrë masat e parandalimit.

Ne, jemi duke marrë masat maksimale dhe besoj se do t’ia arrijmë. Tani jemi stabil është një gjendje e kontrollit të plotë. S’ka pacient që nuk është duke e marrë trajtimin adekuat, mjekët adekuat, ndihmën adekuate, përkrahjen adekuate. Ka oksigjen të mjaftueshme dhe asnjë pacient në mbarë Kosovën, nuk është i lënë nga kjo e drejtë për shkak të ndonjë mungese që eventualisht mund të potencohen.

Pra, deri të hënën veç do ta kemi edhe një operator të ri, i cili licencohet në Kosovë dhe kjo është mrekullia që ai do të prodhojë oksigjenin për krejt nevojat e Kosovës këtu dhe nuk kemi nevojë të varemi nga importi dhe do të jemi shumë të relaksuar, sepse produktin kryesor, i cili është më i konsumuari, ne do ta kemi të siguruar.

Kryeministri Hoti, ka deklaruar se ajo çka është duke ndodhur në Kosovë me koronavirus është në situatë lufte, duke u përballur me raste e viktima. Ju si mendoni?

Saudin Maliqi: Kur flasim për fjalën “luftë”, fjala “luftë” ka shumë dimensione. Në kuptimin që ka folur kryeministri është në atë se ishte në takim me ne dhe shumë mirë e ka shpjeguar, se ajo luftë është përpjekja e të gjithë mantelbardhëve që bëjnë natë e ditë për t’i ndihmuar qytetarët tanë, duke mos i lënë në asnjë moment keq.

Duke sakrifikuar, duke pasur rrezik personal të infektimeve të mëdha që ndodhin në mesin e punëtorëve shëndetësorë për ta luftuar sëmundjen dhe kjo është lufta.

Në anën tjetër, luftë mund ta kuptojmë edhe rritjen e madhe dhe gatishmërinë që e kemi marrë për t’i dalë ballë kësaj sëmundjeje ose pandemie edhe kjo është një luftë e mobilizim mbarëkombëtar i të gjitha kapaciteteve, i të gjitha kapaciteteve shëndetësore.

Ka kritika të ndryshme në media se nuk ka një menaxhim të duhur për situatën e krijuar as brenda qendrës spitalore. Përmendet mungesë e stafit në spitalet ku po trajtohen raste me koronavirus. Sa është numri i stafit aktual, i stafit të infektuar me koronavirus?

Saudin Maliqi: Nuk ka mungesë të stafit. Unë sapo e thashë asnjë pacient nuk është i keqtrajtuar ose mostrajtuar. Të gjithë pacientët kanë shtratin, oksigjenin dhe barnat e duhura. Kur hapim kapacitetet na duhet të mobilizohemi me staf nga klinikat tjera dhe atë mungesë e kompensojmë nga koleget dhe kolegët tanë me lëvizjet organizative brenda institucioneve tona. Ajo nuk është mungesë, ai është riorganizim.

Deri më tani, nuk kemi as një të vetmin pacient ose shërbim i cili nuk është bërë për mungesë të stafit. Tash nuk i kam të dhënat se sa është numri i stafit të infektuar me koronavirus.

Si është gjendja më oksigjen?

Saudin Maliqi: Është stabile. Është e rënduar në krejt rajonin keni parasysh… shikoni Maqedoninë e Veriut me çfarë hallesh përballet, shikoni Greqinë që marrin nga një operator apo dy. Janë të ngarkuara e të stërngarkuara.

Na shpjegoni vetëm për Kosovën, si është gjendja në QKUK?

Saudin Maliqi: Kjo reflektohet, sepse edhe ne marrim nga Maqedonia(e Veriut) dhe kemi burimet e njëjta të furnizimit. Është e rënduar, por ne kemi marrë masa të riorganizimit të brendshëm. Oksigjenin që e marrim në baza ditore nga importi, ne e shfrytëzojmë, oksigjenin e lëngshëm të cilin e kemi në sasi të mjaftueshme.

Dhe, nga kjo kemi racionalizuar shfrytëzimin e oksigjenit dhe kemi krijuar mundësi komode që të furnizojmë të gjitha qendrat spitalore dhe universitare të Kosovës me oksigjen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme