Edhe tri ditë kohë për deklarimin e pasurisë, Buleshkaj thotë se janë në pritje të 1400 zyrtarëve

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 07:58 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 2 mijë e 500 deklarime të pasurisë janë dorëzuar deri të martën në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, derisa kanë mbetur edhe tri ditë deri në mbylljen e afatit. Janë rreth 5 mijë zyrtarë, të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë, në të kundërtën do të përballen me gjoba e kallëzime penale.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj thotë për Ekonomia Online se deklarimi i pasurisë është duke vazhduar me avazin e vjetër, duke u lënë për ditën e fundit.

Buleshkaj tha se ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë do të gjobiten deri në 500 euro.

“Deri më tani rreth 2500 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë nga rreth 5 mijë të cilët janë të obliguar, por janë edhe 30 për qind të tjerë të cilët kanë filluar plotësimin e formularit, sepse tash e kemi vënë në funksion deklarimin elektronik të pasurisë edhe jemi në ngjarje se ku janë zyrtarët me plotësim të këtij formulari. Presim që edhe ky grupi tjetër i rreth 1 mijë e 300 apo 400 zyrtarëve ta plotësojnë shumë shpejt. Fatkeqësisht prapë po vazhdon ai avazi i vjetër ku deklarimi pasurisë kryhet në ditët e fundit, përderisa afati i fundit për deklarim të pasurisë është e premtja, prapë kemi një numër shumë të madh të atyre të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë”, tha ai.

Ai shtoi se mosdeklarimi me kohë është duke shkaktuar edhe problem, pasi gjatë plotësimit të formularit në momentet e fundit po bëhen gabime të mëdha.

Shkak i gabimeve, thotë se mund të përfundojnë në Prokurori.

“Kjo mënyrë e punës dërgon tek një problem që mund ta kenë këta zyrtarët në të ardhmen, sepse duke plotësuar formularin në momentet e fundit, po lëshohen shumë gabime të cilat pastaj mund të kenë pasoja të mëdha, qoftë në kallëzime penale, të cilat mund të përfundojnë në Prokurori”, tha ai.

Buleshkaj tha se me ligjin e ri parashihet se të gjithë ata që nuk e deklarojnë me kohë pasurinë gjobiten më gjobë deri në 500 euro, e më pastaj ju jepet një afat shtesë prej 15 dite për ta dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë.

“Ligji i ri i cili e parasheh dhe e rregullon mënyrën e deklarimit të pasurisë e ka paraparë që secili zyrtar i cili nuk e deklaron në kohë, e pranon një gjobë mandatore. Po besojmë që në javën e parë të prillit të gjitha ata zyrtarë të cilët nuk e kryejnë në kohë do ta marrin një gjobë e cila është deri në 500 euro, apo 30 për qind e pagës së tyre. E pastaj ju dhurohet një afat shtesë prej 15 ditësh për ta dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë. Pas kësaj kohë të gjitha këto raste me automatizëm do të kalohen në Prokurori”, tha Buleshkaj për EO.

Të ngjashme