Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në samitin e BERZH-it që zhvilloi punimet në Londër ku edhe një herë mbrojti minishengenin ballkanik si një nismë që do t’u krijonte më shumë lehtësi qytetarëve të Ballkanit.
Në të njëjtin panel ku ndodhej edhe homologu i Kosovës, Albin Kurti dhe ajo e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri shqiptar e quajti nismë të suksesshme minishengenin, pavarësisht se deri tani ka marrë dakordësinë vetëm nga Beogradi, Tirana dhe Shkupi.
“Deri në 2014 nuk ishin ulur kurrë kaq lehtë me njëri-tjetrin, pa armë, pa urrejtje, pa gjakderdhje, për të folur për të ardhmen. Natyrisht kemi probleme për të zgjidhur, por ne jemi duke punuar së bashku dhe duam të ndërtojmë së bashku të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk bie dakord me termin minishengen, nuk është aspak mini, pasi ne të jemi nga më të gjatët në rajon. Është një hapësirë rajonale, ku bëhet fjalë për 4 liritë e lëvizjes”, tha Rama.
Edhe në Londër, shefi i Qeverisë shqiptare foli për zhgënjimin që solli vendimi negativ i tetorit sa i përket çeljes së negociatave, ndërsa pranoi se Brukseli e ka të vështirë të kuptojnë politikën shqiptare.
“Përsa i përket procesit të integrimit jemi përballur me shumë zhgënjime. Kroacia është njëfarë agjenti ynë në Bruksel dhe në të njëjtën kohë edhe përkthyesi ynë në Bruksel. Natyrisht është më e lehtë të na e përkthesh neve Brukselin se sa të na përkthesh neve në Bruksel. Por ajo që është e rëndësishme është ndërtimi i autostradës Ballkani Perëndimor”, vijoi Rama.
Në fund të fjalës së tij Edi Rama nënvizoi edhe disa nga projektet për të cilat Shqipëria kërkon investime siç është aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, parqet, investimet hidrike.