Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar sot operacionin policor “Forca e Ligjit” dhe ka sulmuar opozitën duke thënë se ata merren me lojëra ndërsa qeveria me punë konkrete.
Ai foli edhe për disa agjentë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri.
Postimi i plotë i Ramës në Facebook:
Prezantohet Operacioni Policor Forca e Ligjit dhe Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit kundër Krimit të Organizuar, e cila do të asistohet në terrenin e kësaj faze të re të luftës me krimin, nga agjentë të FBI dhe të disa agjencive prestigjoze kundër krimit në Gjermani, Itali dhe Britaninë e Madhe .
Lufta me krimin nuk është lojë politike dhe mes qeverisë që lufton krimin e atyre që luajnë politikisht e mediatikisht me krimin për baltosjen e qeverisë, dallimi është i qartë: Nga lufta fiton Shqipëria dhe njerëzit e zakonshëm të saj.
Ndërsa nga loja ziejnë kazanet e politikës e të medias që helmojnë papushim opinionin për hesape mizerabël, politike e financiare, por edhe për të penguar drejtësinë e re që po vjen.