Edi Rama nga SHBA-ja për vendimin e Speciales: Varrosje për së gjalli e katër burrave

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Rama i bëri komentet gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Michigan të Shteteve të Bashkuara, ku tha se e kishte të vështirë të gjente fjalët për të folur për vendimin.

“Si rrallëherë jam përpëlitur për fjalim, sepse nuk kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë para disa ditësh, por nuk gjeja rrugën si t’i qasësha atij burri të madh, të rëndë, përballë të cilit, për hir të së vërtetës, fjalët duken të kota si në një mort”, u shpreh Rama.

Ai e përshkroi situatën si “një mort për së gjalli” dhe “një varrosje të njerëzve të gjallë”, duke e cilësuar atë që ndodhi si një “pafuqi kombëtare përballë një marre ndërkombëtare”.

Rama tha se vendimi i një gjykate duhet të respektohet në një shoqëri demokratike, por shtoi se kjo nuk e pengon, sipas tij, kundërshtimin e pasojave të këtij vendimi.

“Ka një fjalë që e përsërisim shpesh: ‘Respektoni vendimin e gjykatës’. Kjo duhet respektuar, kështu funksionon bota demokratike. Nuk diskutojmë këtë, jo vendimin e gjykatës, por edhe vetë vdekjen e pranon vetëm ai që vdes”, tha ai.

Sipas Ramës, çështja qëndron te mënyra se si populli e percepton vendimin e dhënë nga gjykata.

“Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e gjykatës, por si të refuzosh varrosjen për së gjalli në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen veten në atë vendim të dhënë në gjuhë të huaj”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Rama tha se Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i qëndrojë në krah Kosovës, ndërsa theksoi se përfaqësuesit e zgjedhur të Shqipërisë, sipas tij, do të kundërshtojnë atë që e quajti “varrosje për së gjalli” të katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Shqipëria, në këtë mes, nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë, të zgjedhurit e popullit të saj do të refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave”, tha Rama.

Në fund, ai u shpreh se aktgjykimi nuk duhet të shihet si një përfundim i pakthyeshëm i çështjes, duke iu referuar procesit të apelimit.

“Unë besoj se ai vendim nuk e pengon refuzimin e asaj varrosjeje si fatalitet pa apel”, tha Rama.

Të ngjashme