Edicioni në Serie A mund të mos vazhdojë

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) ka pranuar të martën se edicioni në Serie A mund të mos vazhdojë për shkak të koronavirusit.

Në një komunikatë të lëshuar në mbrëmje, FIGC ka konfirmuar se nuk do të ketë ndeshje të kampionatit italian deri më 3 prill, pas dekretit të lëshuar të hënën nga qeveria italiane. Presidenti i Federatës italiane, Gabriele Gravina ka paraqitur disa alternativa në rast se kampionati nuk do të mund të zhvillohet deri në fund.

Një prej mundësive është që të ketë plejof për të përcaktuar kampionin dhe skuadrat që do të largohen nga Serie A.

Opsion tjetër është që renditja aktuale të jetë përfundimtare, që do të nënkuptonte se Juventusi do të fitonte titullin. Opsion tjetër është që mos të shpallet fare kampioni i këtij edicioni.

Një takim tjetër do të mbahet më 23 mars për këtë çështje.

Për herë të parë dhe të vetme kur titulli i Italisë është vendosur me plejof ishte në edicionin 1963\64, kur Bologna dhe Interi përmbyllën kampanjën me nga 54 pikë. Këto dy skuadra u takuan në një ndeshje në terren neutral, në Romë. Bologna fitoi 2:0.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme