Mënyra si raportojnë shumica e medieve tona, veçmas televizionet, është tipike mazohiste, pra, kundër vetvetes, kundër kohezionit shoqëror, kundër stabilitetit të vendit, kundër vlerave shqiptare.
Shembujt gjenden në çdo edicion të lajmeve, në secilin televizion, ku më shumë e ku më pak. Nuk ia vlen të evokohen, as të veçohet ndonjëri.
Për ta bërë pak më të qartë këtë pohim, po evokoj përvojat e televizioneve të tjera. Merrini e shihni se a i nisin edicionet e lajmve me raporte kundër qeverisë e shtetit të vet, apo me raporte kundër shteteve rivale a armiqësore.
Pothuajse të gjitha televizionet i nisin edicionet e lajmeve me raporte që janë seleksionime negative ndaj shteteve rivale ose armiqësore.
Po jua sjellë një shembull që e evidencova për këtë rast: TV France 24. Më datë 26 qershor 2019 edicionin e lajmeve e fillon kësisoj: raporti i parë për refugjatët nga Amerika Latine drejt SHBA-ve. Jipet dhe fiksohet mbi 30 sekonda fotografia e një prindi dhe bijës së tij nga Salvadori, që ishin mbytur në lumin Rio Grande. Të mbyturit në lumë, ishin filmuar të vdekur, të rënë përmbys në ujin e turbullt.
Raporti televiziv nga vendi I ngjarjes, ishte shumë qortues ndaj Trampit, duke i quajtur masat e tij të ndalimit “kam përqendrimi”, një term që të kujton nazizmin. Pamja tronditëse, rrënqethëse mbahet aq gjatë sa që nuk mund ta shikosh pa t’u rrënqethë trupi!
Mesazhi është që administrata Tramp i ka vrarë ata njerëz. Raporti i dytë ishte për kandidatët e Partisë Demokratike të SHBA-ve, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, duke lavduar Sandersin e Bajdenin, si oponentë të Trampit.
Raporti i tretë u kushtohej ngjarjeve në Venezuelë, ku spikatej deklarata e Maduros se Kolumbia, Kili e SHBA po nxisnin grushtetin në Venezuelë. Pra, tre top raporte ishin për zhvillimet në SHBA, të gjitha me tone kritike e negative. Asnjë fjalë për “jelekët e verdhë!” Pak a shumë me këtë frymë raportojnë shumica e medieve evropiane.
Ndërsa, televizionet tona e bëjnë krejt të kundërtën: në top raporte raportojnë vetëm dështime të shoqërisë e të shtetit tonë. Kjo mënyrë mazohiste e raportimit, nuk po e dëmton aspak qeverinë.
Kjo mënyrë raportimi e ka traumatizuar vetëm publikun dhe mbarë shoqërinë tonë. Njerëzve po ua gërditë vendin e vet. Ndërsa qeverisë nuk i mungon asnjë qime, nga ky lloj raportimi.
Mënyra e duhur e raportimit do të duhej të ishte:
1. Raportimi për zhvillimet negative në shtetin armik, në Serbi dhe në shtetet që e përkrahin Serbinë
2. Ngjarjet që synojnë të forcojnë shtetin tonë, përfshirë edhe përkrahjen e shteteve mike
3) Raportimi i dukurive negative, që prodhon keqqeverisja dhe të cilat duhet të luftohen, me mobilizim shoqëror e politik.
Shkurt, mënyra si raportojnë televizionet ndër ne, është tipike mazohiste dhe depresive. Po të bëhet një krahasim provizor, edhe individi që ka depresion, ka mendim negativ për veten dhe amnestues ndaj atyre që i kanë bërë keq dhe që e kanë shtyrë drejt depresionit.
Këtu jemi ne si medie e si shoqëri: akuzues ndaj vetes e amnestues ndaj armiqve. Vetëshkatërrues, nga mbetjet e mendësisë bizantine?