Edukimi seksual në lëndët shkollore ende tabu, por jemi në rrugë të mbarë

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 14:43 | Nga Flutura Sogonjeva

Në pjesën e tretë të konferencës rajonale ”Trupi im nuk është tabu”, u shfaq videoja promovuese me animacion, me qëllim edukimin si mjet për luftimin e stigmës rreth ciklit menstrual, raporton Ekonomia Online.

Leonora Shala, koordinatore për shkollat promovuese të shëndetit nga ministria e Arsimit tha se çdo vit bëhen plane veprimesh me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit.

“Në shoqërinë tonë akoma ndoshta janë tema tabu por për ne tash e sa vite punojmë në fushën e shëndetit. E them me kompetencë se janë edhe ministria e Shëndetësisë dhe organizata joqeveritare ato që po na ndihmojmë dhe kemi arritur disa gjëra. Në reformën e kurikulës së vitit 2018 e kemi vendosur në kurikulë ky mësimdhënësit japin dhe edukojnë pjesën e shëndetit dhe po ashtu edhe shëndetin riprodhues. Çdo vit kemi bërë plan të veprimit duke filluar nga korniza e monitorimit, qasjes në terrenit bazuar në nevojat e komunitetit duke i përfshirë trajnerët të cilët mbajnë mësime në shkolla, duke hartuar disa pyetësorë edhe për prindër edhe për mësimdhënës rreth asaj se sa po zbatohen këto tema. Nën asistimin tonë e kemi inspektoriatin i cilin ka me vlerësu dhe monitoru pjesën e zbatimit të shëndetit seksual dhe ripordhues, që është në disa lëndë”, ka thënë Shala.

Visare Mujko, udhëheqëse e zyrës së UNFPA-së (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullatën)   Kosovë, tha se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe më gjerë që edukimin seksual dhe riprodhues i ka futur në kurikulën e rregullt.

“Nuk është e lehtë me diskutu për nivelin e shëndetit seksual dhe riprodhues. Mundem me thënë se avokimin e parë  për lëndë shkollore e kemi bërë qysh në vitin 2001- 2002 dhe është thënë se nëse futet kjo atëherë duhet edhe edukimi fetar. Ajo çka është për çdo lavdatë për Kosovën është që është i vetmi vend në rajon që e ka fut si kurikulë të rregullt, dmth pjesë e obligueshme dhe mësimdhënësit e japin në lëndë”, ka thënë Mujko.

Tutje ajo kërkoi që pjesa e edukimit të shëndetit riprodhues dhe seksual të përfshihet edhe fakulteti i Edukimit.

Pjesë e panelit ishte edhe Klotilda Jaupi, nga Tirana, e cila tregoi rreth përfshirjes së edukimit seksual në lëndët shkollore atje.

“Unë jam me profesion biologji- kimi dhe jam afër temës. Ka edhe mësues që nuk e shpjegojnë fare këtë kapitull ose i ndajnë djemtë. Sa i takon kurikulës, shëndeti ripordhues është vendosur në kurikula shkollore, nisur nga konteskti në Shqipëri, është edhe pjesë e udhëzuesit”, ka thënë Jaupi.

Ndërkaq, Visare Mujko tha se në shkollë duhen kushte më të mira medikamente për dhimbje, sigurimi i ujit të nxehtë, sapunit, kushte më të mira në klasa, me qëllim që të mos ketë mungesa në shkolla.

Të ngjashme