Egjipti dërgon pajisje ndërtimi dhe inxhinierë për rindërtimin e Gazës

Prishtinë | 04 Qer 2021 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Egjipti ka dërguar një grup inxhinierësh dhe pajisje ndërtimi në Gaza pas urdhrit të presidentit Abdel Fattah al-Sisi për nisjen e rindërtimit në enklavë pas përfundimit të luftimeve mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror të Egjiptit shiheshin dhjetëra buldozerë, vinça dhe kamionë me flamuj egjiptianë të radhitur në kufi duke e kaluar pikën kufitare drejt Rripit të Gazës, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Gjatë 11 ditëve të luftimeve, të cilat nisën më 10 maj, mbi 250 palestinezë e 13 izraelitë u vranë. Militantët palestinezë hodhën mbi 4.000 raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa Izraeli realizoi qindra sulme ajrore në Gaza me aeroplanë luftarakë.

Egjipti ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e armëpushimit mes dy palëve dhe ka thënë se do të ndajë 500 milionë dollarë si pjesë e fondeve për rindërtimin e zonave të shkatërruara në Gaza.

Rreth 450 ndërtesa në Gaza janë shkatërruar ose janë dëmtuar rëndë. Një agjenci e Kombeve të Bashkuara ka thënë se në mesin e ndërtesave të shkatërruara janë gjashtë spitale dhe nëntë qendra të kujdesit parësor shëndetësor.

Të ngjashme