Nora Gjakova është në seri shumë pozitive në kampionatet evropiane në xhudo. Xhudistja pejane ka fituar medalje në katër kampionatet e fundit evropiane dhe llogaritet favoritja kryesore për Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, që nisin këtë të premte në kryeqendrën e Bjellorusisë.
Gara e xhudos në “Minsk 2019” vlen edhe si kampionat evropian i xhudos për vitin 2019. Kështu që Nora synon të vazhdojë me medalje në kampionate evropiane, shkruan Koha Ditore.
Në të vërtetë seria e saj e madhe ka nisur pikërisht në Lojëra Evropiane, në edicionin e parë të kësaj ngjarjeje në vitin 2015 në Baku të Azerbajxhanit. Nora kishte fituar medaljen e vetme për Kosovën në ngjarjen e parë të madhe shumësportëshe për vendin. Nora fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë. Të bronztën e fitoi edhe në kampionatin evropian të vitit 2016 në Kazan të Rusisë, e po ashtu në evropianin e vitit 2017 të mbajtur në Varshavë të Polonisë. Hapin e madh e bëri në prill të vitit të kaluar kur në Evropianin e mbajtur në Tel-Aviv të Izraelit fitoi medaljen e artë. Pra Nora në Minsk mbron titullin evropian, ndërsa 26-vjeçarja është bartësja e parë në kategorinë deri 57 kilogramë.
Edhe Federata Evropiane e Xhudos ka vlerësuar të hënën se Nora është favorite për të artën në Minsk.