Futbolli kosovar mbeti i mangët javën e kaluar.
Remzi Ejupi vendosi të largohet përfundimisht nga FC Prishtina duke i shitur krejt aksionet e tij.
Biznesmeni i suksesshëm kosovar i dha fund epokës së tij të lavdishme 20-vjeçare te klubi më i madh në vend.
Remzi Ejupi në vitin 2004 u emërua president i klubit “bardhekaltër” teksa klubi aso kohe kishte borxhe afro gjysmë milioni euro.
Në vitin 2006 e bëri privatizimin e klubit duke e shndërruar në Shoqëri Aksionare me përgjegjësi të kufizuara.
Ejupi i ka shitur aksionet te aksionari tjetër, Rrahman Haradini, i cili është emëruar president i klubit.
Ejupi në një prononcim për Lajmi.net. ka thënë se që nga fundi i vitit 2019, klubi është menaxhuar nga Haradini.
“E vërteta është se që nga viti 2019, klubi është menaxhuar nga Rrahman Haradini. Më pas erdhi pandemia Covid 19 dhe mua më ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë me shëndet. Kam vendosur të largohem për faktin se klubi ka nevojë për energji të reja, njerëz më të ditur se unë. Uroj shumë suksese për FC Prishtinën”, ka thënë Remzi Ejupi për Lajmi.net.
“Klubin po e lë në duar të sigurta pasi që kanë mbetur afaristë të suksesshëm dhe kam besim se puna e mirë she sukseset nuk do të mungojnë”, shtoi Remzi Ejupi.
FC Prishtina e nderoi atë duke e shpallur President Nderi të klubit, kurse dashamirët e futbollit e vlerësuan lart punën dhe menaxhimin e tij të suksesshëm prej dy dekadash.
Përpos futbollit, dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për sportin në përgjithësi, duke e sjellë modelin gjerman të Ligjit për Sponsorizim, i cili u konsiderua dhe konsiderohet si shpëtim për sportin.
Madje, falë Ejupit, Ligji i Sponsorizimit ua jep mundësinë bizneseve që të lirohen deri në masën 30 për qind të tatimit në fitim me kusht që këtë vlerë ta investojnë në sport.
Ai ia la Prishtinës është një pronë prej 10 hektarësh të siguruar nga kohën e Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Ejupi largohet nga Prishtina duke ia lënë klubit tri fusha ekzistuese teksa e katërta pritet që të ndërtohet së shpejti me ndihmën e Ministrisë.
Me mbi 16 trofe të fituar me FC Prishtinën, që ndërkohë e dërgoi edhe në garat evropiane, Remzi Ejupi konsiderohet si presidenti më i suksesshëm dhe më jetëgjatë në futbollin kosovar.