Organizata jo qeveritare “Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë”, ka arritur që brenda një viti të trajtojë dhjetëra raste të sinjalizuesve të cilët si shkak i sinjalizimit janë ndëshkuar në vendet e tyre të punës, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse ka pesë vite që në Kosovë ekziston Ligji për Sinjalizuesit, aty u tha se i njëjti nuk po gjen zbatim të duhur.
Bujar Ejupi, menaxher i projektit tha se ndonëse ky projekt ka një vit që është lansuar, kohëve të fundit nuk e ka vëmendjen e duhur nga shoqëria dhe institucionet. Ai përmendi disa raste që sipas tij mbrapa tyre qëndrojnë sinjalizuesit.
“Rasti në MMPHI në rastin me ambalazhuesit e ujit ku mbrapa atij rasti është një sinjalizues dhe që i njëjti është ndëshkuar. Rasti tjetër është ai i rezervave shtetërore ku qëndron mbrapa një sinjalizues dhe që i njëjti është ndëshkuar. Kemi me dhjetëra raste të sinjalizuesve. Këtë vit kemi pasur më së shumti sinjalizues çka na bën të mburremi, por çka është defekt është ndëshkimi i sinjalizuesve”.
“Plotë sinjalizues na kanë shkruar direkt dhe kishim pasur dëshirë që të jenë këtu, por e kanë të pamundur për shkak të pasojave që mund t’i kenë në vendet e tyre të punës. Sinjalizuesit në Kosovë nuk janë të mbrojtur sa duhet, përkundër që për pesë vite është miratuar Ligji për Sinjalizues, madje i njëjti nuk është duke i mbikëqyrur dhe se i njëjti duhet të ndryshohet. Të gjithë ata sinjalizues që kanë treguar për korrupsion apo raste tjera, kanë gëzuar shumë pak të drejta”, u shpreh Ejupi.
E gazetarja hulumtuese, Ardiana Thaçi, tha se arsye e rritjes së sinjalizuesve është edhe mostransparenca e institucioneve të Kosovës. Ndonëse Ligjin Ligji për Sinjalizim e quan mirë të shkruar, konsideron se zbatimi i tij është shumë i mangët.
“Është shumë e vërtetë se pas secilit hulumtim në Kosovë, qëndron një sinjalizues, qëndron një zyrtar publik i cili është i interesuar që paratë e taksapaguesve të Kosovës të mos keqpërdorën dhe kur është krijuar faqja ‘Sinjalizuesi’ janë rrit edhe këta sinjalizues sepse e kanë gjet një vend ku ata mund edhe të marrin këshilla të mos pësojnë për shkak të sinjalizimit. Fatkeqësisht Ligji për Sinjalizim edhe pse është shumë mirë i shkruar, zbatimi i tij është shumë i mangët”, u shpreh Thaçi.
“Zakonisht njerëzit që udhëheqin këto zyre, sepse secili institucion që i ka mbi 50 punëtorë qoftë publik apo privat, është i obliguar ta krijojë Zyrën për Sinjalizim dhe ajo zyre e ka për obligim që ta marrë secilin prej sinjalizim që vijnë nga punonjësit e tij dhe në mënyrë të duhur dhe profesionale ta trajtojë dhe ta dërgojë tutje. Tjetër arsye që unë mendoj se është rritur numri i sinjalizuesve është edhe mostransparenca e Qeverisë. Kjo gjë ka bërë që sinjalizuesit e kanë parë vetën që këto institucione nuk guxojnë të merren me keqpërdorimet qofshin ato nga zyrtarët të lartë apo me grada më të ulëta, por thjesht kanë vendosur që të mos japin asnjë informacion për media”, ka deklaruar Thaçi.