Ekipet e beach volleyt (volejboll në rërë) në të dyja konkurrencat, janë vendosur sot në Patras të Greqisë, ku prej 25-31 gusht 2019 do të mbahen Lojërat e dyta Mesdhetare në Rërë, Patras 2019.
Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat e tilla, të cilat organizohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.
Vendin tonë do ta përfaqësojnë katër volejbollistët: Faton Mustafa, Armend Berisha, Dhuratë Ismajli dhe Valmire Ramadani, si dhe notari Arti Krasniqi, për të cilin Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Notit të Kosovës, janë vazhdimisht në pritje të marrjes së lejes nga Federata Gjermane e Notit, për shtetin e të cilëve Arti ka garuar deri më tani.
Ekipet e beach volleyt kanë udhëtuar më herët shkaku i përgatitjeve, të cilat do t’i kryejnë me shpenzime të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Trajneri i ekipit të meshkujve në beach volley, Bahri Gjinovci, është optimist në rezultate të mira, përkundër konkurrencës së lartë.
“Do t’i kemi edhe disa ditë përgatitje në Patras, para zhvillimit të garave që do të zhvillohen në fund të këtij muaji. I kemi parasysh që ekipet kundërshtare janë me nivele të larta, por besoj në cilësitë dhe aftësitë e lojtarëve tanë, ku në fund të këtij aktiviteti të rëndësishëm do të dalim me rezultate të mira”, tha Gjinovci për “noc-kosovo.org”.
“Synimet tona janë të bëjmë paraqitje sa më të mirë, lojë të bukur dhe me rendiment, besoj që këto do t’i realizojmë me suksese dhe do t’i fitojmë trofetë e çmueshëm”, shtoi Gjinovci.
Ekipit të femrave do t’i prijë trajnerja, Vildane Jashari, e cila thekson se lojtaret e saj janë të gatshme për këto Lojëra. “Ekipi i beachvolleyit të femrave ka filluar përgatitjet për këtë garë që nga data 5 gusht, në dy faza, në Shqipëri dhe do të vazhdojë edhe disa ditë në Patras. Dyshja jonë është me moshë mjaft të re dhe shumë premtuese për të ardhmen”, thotë Jashari.
Dyshja Dhuratë Ismajli dhe Valmire Ramadani, javë më parë fituan medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik U-20, të mbajtur në Kosovë.
“Duke pasur parasysh nivelin e garës dhe sportistët që janë pjesëmarrës, ne synojmë për paraqitje sa më të mirë dhe me rezultate pozitive, gjithmonë duke u mbështetur në formën që po tregojnë vajzat gjatë kësaj periudhe, ku në grupmosha kanë pasur rezultate mjaftë të mira duke u shpallur kampione ballkanike në kategorinë U20, nënkampione ballkanike në U22, ndërsa në evropian u renditën në pozitën 17. Këto rezultate na shtynë që të jemi sa me këmbëngulës në vazhdimin e punës me këtë ekip dhe gjithmonë të jemi në kërkim të rezultateve më të mira”, shtoi ajo.
Në Lojërat Mesdhetare në Rërë Patras 2019, marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente. Lojërat zhvillohen në 11 sporte të ndryshme.