Ekipi i NATO-s arrin në Shqipëri, ofron ndihmë për sulmet kibernetike

Prishtinë | 21 Sht 2022 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësasistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, James Appathurai, ka vizituar të mërkurën Shqipërinë për të ndihmuar qeverinë pas sulmeve kibernetike.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, Appathurai ka thënë se në këtë rrugëtim Shqipëria nuk është e vetme, pasi e ka mbështetjen e NATO-s.

Gjatë kësaj vizite, ai tha se ka vënë re një ndryshim shumë të madh dhe se Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë.

“Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar duke nisur nga qeveria deri poshtë te niveli i ulët për të përballuar këto sulme që janë bërë. Sigurisht ndihma ka ardhur nga NATO, ka ardhur në nivel teknik nga vende të ndryshme të NATO-s, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme”, është shprehur ai, raportoi TCH.

Appathurai shtoi se qëndrimi i tij bashkë me ekipin në Shqipëri po ndodh për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike.

“Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë”, ka shtuar ai.

Në muajin korrik, Shqipëria është përballur me sulme masive kibernetike, të pandodhura ndonjëherë më parë.

Siç kishte deklaruar kryeministri Edi Rama, këto sulme dyshohej se vinin nga Irani. Me këtë rast janë ngrirë edhe marrëdhëniet diplomatike midis këtyre dy vendeve.

Të ngjashme