Ekipi përfaqësues i Kosovës tash e disa muaj është duke u përgatitur dhe po punojnë në laboratorët inovativ të mekatronikës në UBT, për të prezantuar vendin në garën më të madhe të robotikës First Global Challenge që mbahet në muajin tetor në Singapor.
Edhe kësaj radhe Kosova falë UBT-së do të përfaqësohet në mesin e 200 vendeve të botës. Ekipi i përbërë nga të rinjtë të pasionuar për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, do të sfidojë njohuritë e tyre në fushën e robotikës.
Mentorja e ekipit nga Kosova, Elita Hajrizi, tregon se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se ekipi ka ndërtuar robotin inovativ që do të jetë pjesë e garës në FIRST Global Challenge 2023.
“Jemi shumë të entuziazmuar për garën e këtij viti në Singapor. Ndjenja e jashtëzakonshme e prezantimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është diçka që nuk e përshkruajmë dot, dhe në fazën finale të përgatitjeve jemi duke e shijuar çdo moment të këtij rrugëtimi”, ka thënë Elita.
Sfida e këtij viti përqendrohet në krijimin e energjisë së ripërtëritshme prej hidrogjenit. Ekipet konkurruese nga vende të ndryshme sipas kreativitetit të tyre do të dizajnojnë robotin që iu përshtatet nevojës së garës.
Kujtojmë se UBT është vlerësuar lartë nga organizatorët e kësaj gare, duke marrë medalje të artë për kontributin dhe mbështetjen që institucioni po shfaq për FIRST Global Challenge, si dhe për zhvillimin e STEM (Science, Technology, Engineering and Mathematics) gjithandej botës ku po merr pjesë.