Gërxhaliu për rastin “IuteCredit”: Dështoi presioni i brendshëm e i jashtëm ndaj Guvernatorit Mehmeti dhe BQK-së

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 13:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e konsideron fitore të rëndësishme të Kosovës, rastin e fituar në Arbitrazh ndaj institucionit mikrofinanciar “IuteCredit”, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu ka thënë se rastet e humbura në të kaluarën kanë qenë procese të lidhura me qarqe politike dhe me krim të organizuar.

Ai ka thënë se në këtë rast, Guvernatori Mehmeti, ka pasur presion për ta humbur këtë rast.

“Kjo është një dëshmi që vërtetë Guvernatori Mehmeti e ka marrë këtë punë me një seriozitet të madh dhe e ka angazhuar ekip profesionale që ta argumentojë atë vendim që e ka sjellë, mirëpo në këtë drejtim besoj se kjo fitore duhet të analizohet në disa dimenzione; e para është në aspektin intern që do të thotë se ka drejtësi dhe nuk janë të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet e lidhura me politikën e të korruptuara, e në rend të dytë është vërtetë një përparësi psikologjike për të huajt që i’a mësyjnë Kosovës se paska rregulla loje, dhe në këtë drejtim është një fitore e Kosovës, e BQK-së por mbi të gjitha është një fitore Guvernatorit Mehmeti, që përkundër presionit nuk është dorëzuar dhe vërtetë se e drejta triumfoi”, u shpreh Gërxhaliu.

“Ajo çka duhet të nënvizohet është fakti që Kosova në vitet e fundit ka humbur shumë procese të ndryshme në Arbitrazhe, dhe problemi më i madh është se siç duket që të gjitha këto procese kanë të lidhura me qarqe politike dhe me krim të organizuar. Vetë rasti i Post Telekomit është vërtetë një momentum që duhet të na brejë të gjithëve dhe të mos pranohet si realitet sepse kam dronë se në këto vendime, jo vetëm që është dëmtuar Kosova, por është dëmtuar edhe siguria kombëtare, e mbi të gjitha është dëmtuar imazhi i Kosovës në këto procese”, tha Gërxhaliu.

Teksa ka folur për këtë vendim vendimin e Arbitrazhit, profesori universitar, ka përmendur edhe rastin e fituar ndaj PTK-së, e cila e fitoi rastin ndaj “Z Mobile”.

Ai thotë se edhe në rastin ndaj “Z Mobile”, është tentuar të ndërhyjë politika.

“Unë besoj se në të gjitha proceset gjyqësore në të kaluarën korrupsioni dhe krimi kanë pasur emër e mbiemër. Ka munguar vullneti politik për t’i zgjidh këto probleme, dhe në këtë drejtim ndoshta përveç shumë ndërmarrjeve, kjo qasje e politikës dhe ky involvim më së shumti ka qenë i reflektuar në institucione publike. Nuk është vetëm rasti i PTK-së por edhe ndërmarrjeve tjera, dhe vërtetë dëmi i Kosovës ka qenë shumë i madh, jo vetëm në aspektin material por edhe në atë reputativ”, ka thënë ai për EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme