Ekonomia e eurozonës është tkurrur me një ritëm të shpejtë rekord në tremujorin e parë të vitit, përderisa pandemia Covid-19 ka detyruar mbylljen ekonomike të vendeve të ndryshme.
Vlerësimi primar i GDP-së midis muajve janar dhe mars tregoi një tkurrje prej 3.8%, më keq sesa gjatë krizës financiare.
Shifrat e veçanta zbuluan një rënie të madhe të aktivitetit ekonomik në Francë dhe Spanjë për të njëjtën periudhë kohore.
Në rastin e Francës, rënia prej 5.8% në bruto produktin e brendshëm (GDP) ishte më e madhja në periudhën tremujore që kur ka nisur regjistrimi në vitin 1949.
Dy ekonomi të tjera të mëdha kanë publikuar vlerësimet e para – Spanja pati një tkurrje prej 5.1% ndërsa ekonomia e Italisë u tkurr me 4.7%.
Në Gjermani papunësia është rritur, megjithate mbetet relativisht e ulët në krahasim me vendet e tjera.
Shifra për eurozonën në tërësi ishte më e moderuar, por është akoma e rëndë bazuar në shumë standarde posaçërisht në kontraktimin e aktivitetit ekonomik vetëm në tremujorin e parë të vitit.
Të mërkurën, SHBA-të njoftuan se ekonomia e saj kishte pësuar tkurrjen më të rëndë për më shumë se një dekadë, pasi GDP-ja u tkurr me një normë vjetore prej 4.8% në tremujorin e parë të vitit.
Sidoqoftë, kjo normë nënkupton që aktiviteti ekonomik amerikan në të vërtetë është kontraktuar me rreth 1.2% në periudhën tremujore, një tkurrje më pak e rëndë sesa në eurozonë.