Ekonomia e SHBA-së vitin e kaluar u rrit me ritmin më të shpejtë të shumë dekadave, pasi rënies që pati nga izolimet e pandemisë.
Shifrat zyrtare nga Departamenti i Tregtisë treguan se ekonomia u rrit me 5.7% – performanca më e mirë që nga viti 1984.
Por, analistët presin që kjo rritje do të ngadalësohet këtë vit, pasi qeveria do të reduktojë shpenzimet stimuluese dhe Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit.
Disa rreziqe të tjera të mundshme përfshijnë normat e larta të inflacionit dhe kërcënimin e varianteve të reja të Covid, siҫ është rasti i Omicron.
Banka Botërore parashikon se ekonomia amerikane do të rritet me 3.7% këtë vit, në përputhje me parashikimet e tjera.
“Vala Omicron do të bëjë që ekonomia ta fillojë vitin 2022 në rrethana shumë më të pafavorshme dhe ne presim që rritja të vazhdojë të jetë e ulët edhe përgjatë pjesës tjetër të këtij viti,” tha Andrew Hunter, ekspert ekonomie për SHBA-në në Capital Economics.
Shpenzimet e konsumatorëve dhe stimujt qeveritarë ndihmuan në rimëkëmbjen ekonomike pas rënies së vitit 2020, kur produkti i brendshëm bruto u reduktua me 3.4% nga goditja e pandemisë.
Tregu i punës deri më tani ka rikuperuar rreth 19 milionë vende pune nga 22 milionë të tilla që humbën si pasojë e izolimeve të atij viti.
Prodhimi vazhdoi të jetë në ritme të mira gjatë tre muajve të fundit të vitit, periudhë në të cilën ai u rrit me një normë vjetore prej 6.9%, shifër kjo më e mirë nga sa pritej.
Presidenti Joe Biden ishte krenar për këto shifra, duke thënë se ato nuk ishin “të rastësishme”, por ishin rrjedhojë e përpjekjeve të qeverisë për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike.
Ndërsa stimuli i pandemisë është në prag të përfundimit, ai i kërkoi Kongresit të ecë përpara me planet e tjera të shpenzimeve në fusha të tilla si energjia e rinovueshme, prodhimi dhe kujdesi për fëmijët.
Por axhenda e zotit Biden aktualisht ka ngecur në Kongres, kështu që ekonomia do të duhet të vazhdojë të ecë përpara pa këto stimuj – dhe me shumë pak ndihmë nga banka qendrore e Amerikës.
Të mërkurën, kryetari i Rezervës Federale (Fed), Jerome Powell, sinjalizoi se zyrtarët po planifikonin të rrisnin normën bazë të interesit në muajin mars, për herë të parë që nga viti 2018, duke argumentuar se ekonomia nuk kishte më nevojë për kostot tepër të ulëta të huamarrjes që u vendosën në vitin 2020 për të nxitur rritjen e saj.
“Sfida përcaktuese për ekonominë në një ose dy vitet e ardhshme do të jetë ruajtja e ritmeve të rritjes, jo vetëm në mungesë të politikave fiskale, por edhe në rrethanat e shtrëngimit të politikave monetare,” shkruajnë ekonomistët e Wells Fargo në një studim.
Fed gjendet nën presion për të trajtuar inflacionin, në një kohë kur rritja e çmimeve në SHBA po ndodh me ritmin më të shpejtë të gati 40 viteve.
Zyrtarët e bankës fillimisht kishin thënë se presionet e inflacionit do të ishin kalimtare dhe do të zbeheshin pasi të zgjidheshin problemet në zinxhirët e furnizimit, të cilat u shkaktuan nga virusi – por kjo rezultoi të ishte shumë më e vështirë nga ҫ’pritej.
Disa analistë thonë se Fed po tregohet shumë e ngadaltë për të reaguar ndaj rritjes së inflacionit, ndërsa të tjerë druhen se banka do të bëjë lëvizje shumë agresive dhe, si rrjedhojë, kostot e rritura të huamarrjes do të ulin kërkesën më shumë nga sa pritej.
Tregjet e aksioneve në Amerikë kanë pasur rënie përgjatë tre javëve radhazi, ndërsa të dhënat më të fundit sugjerojnë një tjetër ngadalësim pas goditjes së Omicron në fund të dhjetorit dhe përgjatë janarit.