Kryetari i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, i cili me profesion është mjek, ka thënë se Kosova po përballet me nje pandemi të re – paaftësinë e qeverisë Kurti.
“Pandemia e paaftësisë qeverisëse po i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore, derisa investimet e parapara janë realizuar vetëm 5 për qind”, tha Hyseni, në një konferencë për medie.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, për shkak të dështimeve të mëdha në shëndetësi, raporton Ekonomia Online.
Hyseni tha se 120 profesionistë shëndetësorë dhe 40 specializantë e kanë lëshuar vendin.
“Janë 120 profesionistë shëndetësorë që e kanë lënë vendin dhe 40 specializantë. Mbi 1000 profesionistë kjo ministri i la pa kontrata. I kemi vetëm 48 anesteziologë në krejt QKUK-në dhe lista e pritjes do të zgjatet nëse vazhdon ikja e këtyre profesionistëve”.
“Mungesa e barnave është një problem i zakonshëm dhe shumë prej ilaçeve detyrohen t’i blejnë pacientë. Me rreth 60 milionë në kohën e kësaj qeverie ka rënë buxheti për shëndedtësi. Ligji për Shëndetësi është refuzuar dhe ka shkaktuar më tepër se një vit vonesë”.
“Ne mendojmë që gjithë këto dështime janë fakte të mjaftueshme që një ministër duhet të dorëhiqet”, ka theksuar Hyseni.