Dasma e shekullit

Prishtinë | 28 Kor 2016 | 12:12 | Nga

Dashuria e tyre që fillet i ka në vitin 2008 do kurorëzohet më 8 tetor të këtij viti. Nipi i Mbretit Zog, Princ Leka II martohet me artisten, Elia Zaharia.

Në një intervistë ekskluzive për lajmi.net ata flasin për detajet e dasmës, për dashurinë që kanë për Kosovën, për integrimin e të gjitha trojeve në të gjitha mënyrat në këtë dasmë, dhe tregojnë edhe më shumë.

Ishin në Prishtinë, për punë, në ditën kur pranuan të flasin, por të thjeshtë dhe shumë të dashur, treguan shumëçka që nuk është ditur deri tash.

Elia Zaharia/ Foto: Kushtrim Gashi

 

Teksa Zaharia shpjegon disa nga punët që po bëjnë, kur e pyetëm se si i kanë ndarë punët, ajo qesh dhe thotë: “I kemi ndarë mirë, i bëjë unë të gjitha! Në fakt, përveç shakasë, jemi me fat pasi kemi pranë nesh miq dhe dashamirës të cilët po na ndihmojnë dhe përkrahin në çdo hap të këtij organizimi. Gjithashtu profesionistët që janë bërë partnerët tanë në këtë dasmë po vendosin të gjithë energjinë dhe dashurinë e tyre”.

U takuan në Teatër Park Kame, shoqëria e tyre zgjati dy muaj dhe u fillua një lidhje, që do kurorëzohet në ditëlindjen e Mbretit Zog.

“8 tetori është ditëlindja e mbretit Zog I. Kjo datë historike mbledh çdo vit familjarë dhe dashamirës që e kujtojnë dhe e nderojnë. Ndaj ne menduam që pikërisht në ditën e lindjes së tij, të kurorëzojmë lidhjen tonë”, thotë Princ Leka.

Zaharia që jeton në Pallatin Mbretëror që nga vitit 2010, tregon se aty ka edhe tetë qen që i duan shumë, që të dy, dhe kur e pyesim për atë ditë, ajo shpjegon që ditën e dasmës do të jenë të shtrënguar t’i largojnë nga Pallati.

Princ Leka

“Janë antistresi më i madh i imi, por nuk mund të jenë aty atë ditë, nuk do të ishte praktike as për qenushët e as për të ftuarit. Ata na mbushin me dashuri, kujdesemi të gjithë për ta. Por gjithashtu ata kanë rregullat e veta strikte, si përshembull nuk mund të futen brenda në shtëpi. Por ndonjëherë kur nuk jam aty, Princi i shkel këto rregulla”, thotë Elia Zaharia.

Dasma që do të jetë e organizuar gjatë një dite të plotë, do të ketë të ftuar shumë miq. Kaligrafia e secilit prej emrave të të ftuarve do të shkruhet në ftesa nga piktor-grafist-kaligraf Avni Delvina, nipi i ish – ministrit të Drejtësisë, Hiqmet Delvina, njeriu që dikur firmosi martesën e monarkut Zog dhe Geraldinës.

Elia Zaharia dhe Avni Delvina

E gjithë dita do të jetë dasmë e vazhdueshme. Në mëngjes do të bëhet ajo që ndodh rrallëkund, por për këtë mbretëri është traditë, bekimin do e japin klerikët e të gjitha feve në Shqipëri.

“Ne do të martohemi me një ceremoni civile, e cila do mbahet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj. Emrat e dëshmitarëve është ende herët për t’i zbuluar. Klerikët do të përcaktohen nga qendrat përkatëse. Ne do të ftojmë të bekojnë këtë kurorëzim me një lutje secilën nga fetë zyrtare të Shqipërisë. Çfarë ka rëndësi është mesazhi i tolerancës dhe harmonisë fetare, që përbën një virtyt të çmuar në kulturën tonë”, thotë Princ Leka.

Nga familjet mbretërore të pranishëm pritet të jenë ata me të cilët shqiptarët kanë miqësi dhe lidhje të kamotshme.

Nuk është vendosur ende për muzikën dhe kush e si, por e sigurt është që do të ketë momente tradicionale, këngë të vjetra qytetare e shumëçka tjetër. Mirëpo, Princeshës që dikur ishte pjesë e grupit muzikor “Spirit Voice”, protokolli nuk ia lejon të këndojë ndonjë këngë në dasmën e saj.

Mësohet se ajo nuk do të ndryshojë as edhe pamjen e saj, qoftë me ngjyrë flokësh apo ngjashëm. E normalisht, veshja e Princit do të jetë varësisht nga ngjarja, tjetër në kurorëzim e tjetër në eventet e tjera.

Elia Zaharia

Kosova në dasmën mbretërore

Prodhime vendore do shërbehen në këtë dasmë, e po punojnë që të ketë edhe nga Kosova. Por jo vetëm kaq. Nusja do të ketë një nga shoqërueset nga Kosova, ndërsa në pjesën ku do performohen valle të të gjitha trojeve shqiptare, do të ketë patjetër edhe vallen e Rugovës.

“Fustani i dasmës do të jetë i punuar nga një dizajnere kosovare. Mund të ketë disa fustane, por mbetet për tu parë”, thotë Elia Zaharia.

 “Ne kemi miq shumë të afërt në Kosovë të cilët shpresoj do jenë pranë nesh në ditën tonë të veçantë. Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e familjeve që kanë kontribuar në historinë e lirisë së Kosovës. Gjithashtu ne do të respektojmë institucionet kryesore të vendit”, shpjegon Leka.

 

Princ Leka dhe Elia Zaharia

Muaji i mjaltit

Me punët e shumta që kanë që disa muaj, sikur ende nuk kanë vendosur se ku do kalojnë muajin e mjaltit, por del që nusja do të jetë ajo që do e merr vendimin përfundimtar.

Përderisa Princ Leka shpjegon se kanë disa ide, thotë se dëshirë ka të jetë një vend i ngrohtë. E Princesha tregon për vendin, por ia ka frikën udhëtimeve të gjata.

“Një nga dëshirat është edhe Afrika e Jugut, atje ku Princi ka lindur dhe është rritur. Unë nuk e kam vizituar kurrë dhe kam dëshirë të më prezantojë me vendin ku Princi ka lindur dhe është rritur. Por kam pak problem me avionët dhe udhëtimet e largëta, kështu që do e mendojmë gjatë se sa larg do shkojme”, thotë Elia Zaharia.

Të dy kanë marre një mision. Të gjitha mediat ndërkombëtare që po shprehin interesim për këtë dasmë, ata po i shëtisin personalisht, pasi duan që t’ua prezantojnë Shqipërinë sa më të plotë, duke i dërguar për reportazhe nëpër shumë krahina të vendit.

Princ Leka dhe Elia Zaharia nuk do të bëjnë një dasmë tradicionale shqiptare në mënyrën e ndërtimit. Ata do të ftojnë miqtë dhe familjarët e tyre, si edhe shumë të huajt ndërkombëtarë, ndaj kjo dasmë do të zhvillohet sipas një protokolli të caktuar.

Mikja e Elias, Sadije Berisha po ndihmon rreth dasmës, protokollit dhe gjithçka tjetër, madje edhe kompania e dekorit është përzgjedhur nga konsulentët suedezë që kanë ardhur në Shqipëri pikërisht për këtë punë që prej një muaji.

Pastaj janë një grup francez që po merren me anën mediatike, me atë protokollare etj.

Princ Leka dhe Elia Zaharia

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme