Ekskluzive: Zyrtari policor pjesë e ahengut me të shtëna me armë në Prishtinë, suspendohet për mosdenoncim të rastit në Polici

Prishtinë | 12 Qer 2022 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.

E shtëna me armë përbën vepër penale dhe secili qytetar ka për detyrim ta raportojë në Polici. Ky detyrim është obligativ sidomos për zyrtarët policorë, të cilët pavarësisht kohës apo vendit, kanë autorizime policore 24 orë.

Mirëpo, një detyrim i tillë rezulton se është shpërfillur nga një zyrtar policor, mbrëmë në Prishtinë, i cili mori pjesë në një aheng ku pati të shtëna me armë dhe si pasojë e mosdenoncimit të rastit është suspenduar, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Rasti u zbulua përmes disa pamjeve në të cilat shihej se në një aheng na fshatin Hajkobille në Prishtinë ka të shtëna me armë. Kjo bëri që Polici të aktvizohej menjëherë, me ç’rast intervenoi në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin Policor.

Pasi njësitë policore arritën në lokacionin ku po mbahej ahengu, u vërtetua se pjesëmarrës ishte edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nisi kontrollimi i shtëpisë ku u organizua ahengu, me ç’rast u gjeten rreth 130 fishekë të kallashnikovit.

Zyrtari policor është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërkohë ndaj të dyshuarit, pronarit të shtëpisë është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të armëve.

Të ngjashme