Ekspertët e aviacionit kanë shprehur dyshime në lidhje me deklaratat e zyrtarëve iranianë se rrëzimi i aeroplanit të një kompanie ukrainase, me ç’rast mbetën të vdekur 176 persona, ka ndodhur si pasojë e problemeve teknike.
Ekspertët e pavarur të aviacionit kanë thënë se ky aksident ka gjasa të mëdha të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm ndaj aeroplanit.
Ambasada e Ukrainës në Iran fillimisht e përkrahu deklaratën e zyrtarëve iranianë, por më vonë e ndryshoi qëndrimin, duke thënë se shkaku i aksidentit do të përcaktohet nga një komision zyrtar që do të krijohet për këtë qëllim.
Grupi për monitorimin e rrezikut të fluturimeve, OPS, tha: “Vlerësimi ynë fillestar është që aeroplani është rrëzuar nga një sulm, derisa të grumbullohen dëshmi të qarta për të kundërshtuar këtë vlerësim.”
Kompania “Ukrainian International Airlines”, në pronësi të së cilës ishte aeroplani i rrëzuar, gjithashtu e ka lënë anash mundësinë e paraqitjes së problemeve teknike, duke thënë se aeroplani nuk ka pasur probleme dhe se i është nënshtruar kontrollit teknik vetëm para dy ditëve.
Dyshimet janë shtuar pas refuzimit të Iranit për t’ia dorëzuar kutinë e zezë prodhuesit të aeroplanit të rrëzuar, kompanisë amerikane, Boeing, shkruan “Independent”.