Ekspertët e kanë vlerësuar si pozitive punën e institucioneve në riintegrimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja. Mirëpo, sipas tyre mbetët shqetësuese mos transparenca e institucioneve për kostot financiare që shpenzohen për këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Bedri Elezi, drejtor i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, tha se çështja e të riatdhesuarve nga Siria është një proces i cili ka akoma shumë punë për t’u bërë.
Ai në një bisedë për Ekonomia Online tha se tek të riatdhesuarit në burgjet ku kontrollohen prej autoriteteve kurdistane ka filluar një torturë ndaj tyre, por që institucionet e vendit tonë nuk janë keq në këtë proces të integrimit.
“Sipas shpjegimeve apo rrëfimet që i kanë dhënë të riatdhesuarit së fundmi në burgjet ku kontrollohen prej autoriteteve kurdistane, ka filluar një dhunë ndaj të burgosurve, ka tortura sipas tyre të cilat tejkalojnë të gjitha normat për të cilat duhet trajtohet një i burgosur dhe pastaj çështja e integrimit, unë mendoj se Qeveria e Kosovës, e përkatësisht institucionet që merren me integrim nuk janë keq në këtë pjesë pasi ka një proces këtu”, tha Elezi.
Tutje ai tha se shqetësim tjetër është edhe fshehja e vlerave financiare dhe shpenzimet që bëhen në emër të të riatdhesuarve, ku shumë banesa janë marrë me qira nga ministria e Punëve të Brendshme dhe që ka dyshime në këtë proces.
“Ka një shqetësim tjetër këtu e që ka të bëjë me koston financiare për integrim, ne kemi nevojë që të kemi njohuri për sasinë apo vlerën financiare që shpenzohen në emër të tyre, pasi kemi informacione ku një pjesë e grave dhe fëmijëve që janë kthyer nga Siria qoftë herën e parë, apo edhe tani kanë marrë banesa me qira nga ministria e Punëve të Brendshme e që ka dyshime në këtë proces”, theksoi tutje ai.
Komunikimi me mediat dhe shoqëritë civile po shihet si një problem tjetër i krejt këtij procesi, ku sipas Elezit nuk ka një integrim real, dhe janë të kërcënuar që të flasin.
“Sa i përket pjesë së dytë që është shqetësuese, se u bahet presion gjatë komunikimit me mediet apo me shoqëritë civile dhe qytetarët, dhe çdo person që ka hyrë në procesin e integrimit qoftë luftëtar, viktimë nëse komunikon me shoqëritë civile janë të kërcënuar që mua më shqetëson tek pjesa reale e integrimit, sepse ne kemi nevojë për integrim real”, theksoi tutje ai.
E rëndësishme sipas Elezit është që të jenë të kujdesshëm në procesin e integrimit, dhe të mos mësojnë ata persona anët e errëta të menaxhimit dhe korrupsionit, në të cilën shumë herë aludohet.
“Neve duhet të jemi shumë të kujdesshëm në procesin e integrimit sepse përpos që ata persona nuk integrohen, do të fillojnë të mësojnë anët e errëta të menaxhimit dhe pjesën e aktivitetit dhe mësojnë pjesën e korrupsionit, dhe këtë e kam bazë familjarët që na japin informacione”
Si përfundim ai thotë se nuk ka matje reale sa i përket integrimit, dhe që nuk po shfrytëzohen këta persona për t’i treguar botës se rruga që kanë ndjekur ka qenë e gabuar.
“Pas çdo pune na duhet të kemi një matje, unë nuk kam njohuri se a është bërë ndonjë matje reale, kam persona me të cilët komunikoj dhe që besoj se ata jo që janë integruar por ata janë të gatshëm m’i tregu botës se rruga që ata e kanë ndjekur është rrugë e gabuar dhe të dërgon në humnerë, dhe ne nuk po i shfrytëzojmë ata njerëz që me ju tregu të tjerëve që po radikalizohen çdo ditë pavarësisht se sot nuk po shkojnë në Siri apo në Irak, dhe nëse neve i marrim dhe i promovojmë vlerat e integrimit nga dhuna në proces normal do ishte shumë mirë”.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, tha se Qeveria e Kosovës janë aktivizuar mjaftë shumë sa i përket çështjes së të kthyerve nga Siria, por që duhet punuar akoma më shumë sidomos në krijimin e programeve psikologjike për ata fëmijë që kanë pësuar trauma, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket aktivizimit të autoriteteve vendore është për t’u lavdëruar puna e institucioneve përkatëse të cilët kanë harmonizuar veprimet edhe me ndërkombëtarët e respektivisht me Amerikën, dhe duhet të kemi parasysh që integrimi është një çështje sensitive, por që qasja është mjaft profesionale dukë dhënë shembuj në këtë aspekt”, theksoi tutje ai.
“Në këtë proces po merremi për herë të parë, sepse nuk është se kemi një shabllon për të marrë parasysh, por që Kosova po zhvillohet mjaftë shumë, sidomos në krijimin e programeve psikologjike, sepse kryesisht në ata persona të kthyer janë edhe fëmijë të cilët kanë përjetuar një traumë, dhe duhet të krijojmë modele që të trajtohen në aspektin psiqik ashtu siç duhet”, tha Shala.
Shala thotë se është bërë një gabim sa i përket trajtimit të këtij procesi, pasi janë përfshirë edhe Bashkësia Islame, dhe hoxhallarë çfarë nuk do duhej të ndodhte.
“Ne kemi bërë një gabim sa i përket trajtimit të duhur të kësaj çështje, ku ka edhe hoxhallarë që merren me këtë proces, dhe është mirë që bashkësia islame të mos përfshihet në këtë proces pasi nuk ka pse të përfshihen”, përfundoi ai.
Katër fëmijë dhe shtatë të rritur përbëjnë grupin e fundit të shtetasve kosovarë që janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.
Sipas të dhënave zyrtare, në total janë 78 fëmijë të rikthyer, ndërsa edhe 39 të tjerë vazhdojnë të mbesin në zonat e konfliktit.