Ekspertët sqarojnë gjetjet rreth sipërfaqes së banimit që i takojnë paditëses në bazë të marrëveshjes me të paditurin, ekspertiza kthehet në plotësim

Prishtinë | 23 Shk 2024 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ekspertët e ndërtimtarisë Fidan Salihu dhe Cenë Krasniqi kanë sqaruar gjetjet e ekspertizës rreth sipërfaqes së banimit që i takojnë paditëses N.R., në bazë të marrëveshjes me të paditurin N.H.

Në këtë seancë, gjykatësi Bujar Dobërdolani e ktheu në plotësim ekspertizën lidhur me zbatimin e marrëveshjes mes palëve N.H dhe N.R, për shfrytëzimin e patundshmërisë.

Fillimisht, eskperti Fidan Salihu ka sqaruar se qëllimi i tyre ka qenë arritja deri te përqindjet që kanë qenë në deklaratë, ku N.R t’i takojnë 6.57% kurse N.H 93.43% si investitor.

“Ne e kemi pa që zonja N.R ka pasë 6.57% që është për sipërfaqe bruto të objekteve 1 dhe 2 dhe sipërfaqe të banesave, ku sipas marrëveshjes i ka pasë 227 metra katror. Ne për këto metra e kemi gjetë se N.R, i takojnë banesat me sipërfaqe 150.55 metra katror. 227×66.32%=150.55m2, pasi që metrat tjera shkojnë në shkallë, ashensorë dhe korridore”, tha eksperti Salihu.

Ai ka mohuar se i është kërkuar të analizojë përqindjen 93.43% të sipërfaqes së N.H dhe sipërfaqen e cila do të dilte në rastin konkret bruto dhe neto në këtë përqindje.

Tutje, eksperti Salihu, në analizën e tij ka përfshirë edhe pjesë nga ekspertiza tjetër nga eksperti Qazim Fazlija, i cili kishte konstatuar se N.R kishte pasur dy banesa me nga 76.13 m2. Pra, gjithsej dy banesat me sipërfaqet 152.26m2.

“Tash kemi ardhë në llogari se N.R i takojnë 150.55m2, kurse sipas ekspertit Qazim Fazlija ajo posedon 152.26m2 dhe kemi konkludu se zonja N.R posedon banesat me sipërfaqe sipas deklaratës së nënshkruar ndërmjet saj dhe zotëri N.H. Ky është i tërë sqarimi se si kemi vepru ne si grup i ekspertëve”, ka thënë eksperti Salihu.

Kurse, sa i përket kontestit të lokalit, ekspertët Fidan Salihu dhe Cenë Krasniqi thanë se sa i përket kësaj çështjeje, në marrëveshje përcaktohet vetëm sasia por nuk është përcaktuar pozita dhe se paditësja N.R, nuk i ka kontestuar metrat e lokalit por vetëm të banesave.

Më pas, përfaqësuesi i paditëses N.R, avokati Abit Asllani i propozoi gjykatës të kryhet një ekspertizë plotësuese nga grupi i ekspertëve, lidhur me lokalin afarist, i cili propozim u aprovua nga gjykatësi Dobërdolani.

“Sipas deklarimeve të pamjeve, me qëllim të qartësimit të rrethanave, marrë parasysh gjendjen në terren, propozohet me dalë në vendshiqim për të dhënë një mendim përfundimtar lidhur me zgjidhjen e kontestit mes palëve. Sa i përket sipërfaqes së banimit, tanimë kanë dhënë sqarimet e mjaftueshme, por si detyrë mbetet sqarimi dhe deklarimi lidhur me zbatimin e marrëveshjes sa i përket lokalit afarist dhe bodrumit”, tha gjykatësi Dobërdolani.

Ndryshe, sipas padisë për zbatim të marrëveshjes, të ushtruar më 18 nëntor 2009 nga paditësja N.R ndaj të paditurit N.H., thuhet se ndërgjyqësit kishin arritur marrëveshje që të bënin bashkimin e pronës së patundshme dhe investimit për ndërtimin e objektit, ku njëra ngastër ishte në emër të paditëses dhe tjera në pronësi të të paditurit.

Sipas marrëveshjes, thuhet se paditëses N.R do t’i takonte sipërfaqja prej 267 m2, prej të cilave 40 m2 lokal afarist të sipërfaqes bruto të objektit dhe 15 m2 bodrum, kurse pjesa prej 227 m2 banim do të përcaktoheshin pas aprovimit të projektit nga organi kompetent dhe se afati i ndërtimit kishte qenë 18 muaj.

Në padi, thuhet se pas përfundimit të ndërtimit dhe lëshimit të objektit në shfrytëzim, i padituri nuk i ka dorëzuar në posedim dhe shfrytëzim paditëses sipërfaqen e kontraktuar të objektit sipas specifikave të kontraktuara, duke refuzuar të përmbush obligimin e përcaktuar me marrëveshje.

Andaj, paditësja N.R ka kërkuar nga gjykata aprovimin e padisë dhe obligimin e të paditurit N.H që t’ia dorëzojë në posedim dhe shfrytëzim lokalin prej 40 m2, bodrumin prej 15 m2 dhe hapësirën për banim në sipërfaqe prej 227 m2, në objektin i cili gjendet i ndërtuar dhe t’ia kompensojë dëmin për shkak të mosshfrytëzimit të patundshmërisë për periudhën kohore nga parashtrimi i padisë e deri në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Ndërsa, i padituri N.H përmes përgjigjes në padi të ushtruar më 12 gusht 2010, ka kërkuar që të refuzohet në tërësi si e pabazuar padia e paditëses N.R., dhe të detyrohet paditësja t’ia paguajë shpenzimet e procedurës penale./Betimipërdrejtësi/

Të ngjashme