Ekspertët: UNMIK-u duhet të largohet nga Kosova, ndërhyrja serbe nuk mund të vazhdojë

Prishtinë | 25 Tet 2025 | 08:28 | Nga Gzim Mujaj

Diplomatët dhe njohësit e sigurisë, vlerësojnë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë është i tejkaluar dhe nuk ka më funksion të nevojshëm për stabilitetin dhe sovranitetin e vendit, raporton Ekonomia Online. 

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, vlerëson se misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka humbur funksionin dhe është bërë një relikt që nuk shërben më për institucionet e vendit. 

Ai thotë se UNMIK-u nuk ka asnjë veprim konkret ekzekutiv, policor apo gjyqësor dhe i konsideron ndërhyrjet e tij të tejkaluara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Në fakt nëse mund ta themi në mënyrë lapidare që më në fund kushtet për me u largu UNMIK janë plotësuar menjëherë me shpalljen e pavarësisë dhe siç ka qenë atëherë e paraparë në planin e Ahtisarit 120 ditë tranzitore. Por ka qenë Rusia e cila e ka vështirësuar punën e Kosovës dhe të perëndimit insistojnë që të mbetet në fuqi kjo rezolutë. Mendoj fakti që UNMIK-u nuk ka as një veprim konkret ekzekutiv, as policor, as gjyqësor. UNMIK-u është faktikisht një relikt i vjetër, një administratë që gëlltit taksapaguesit e antarëve të OKB-së. Parë nga kjo perspektivë, mendoj që duhet të shndërrohet në një zyrë përfaqësuese të OKB-së në Kosovë, e cila do të ndërtonte një komunikim krejt tjetër”, tha Ukshini.

Ai shtoi se përfitimet nga largimi i UNMIK-ut do të jenë të dukshme. 

“Kjo tregon që Kosova edhe një herë konfirmohet që është shtet i pavarur, qeveriset vetë, është e aftë ta administrojë pushtetin vetë. Ne e kemi këtu edhe një mision të EULEX-it, i cili ka ardhur gjoja për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës, por është edhe ky një mision krejt kot, në fakt Kosova nuk ka nevojë pos për prezencën ushtarake të KFOR-it, për të tjerat prezenca nuk ka nevojë”, tha Ukshini.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”,  Arben Fetoshi, theksoi se UNMIK-u ka humbur funksionin dhe ka shërbyer kryesisht interesave juridike të Serbisë kundër Kosovës. 

“Kosova nuk ka nevojë më tutje për UNMIK-un, UNMIK i takon historisë për shkak se kjo është paradoksale në qoftë se kemi parasysh faktin që nga 17 shkurti 2008 Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe realisht misioni i UNMIK, jo vetëm që i shërben luftës juridike ndërkombëtare të Serbisë kundër Kosovës, por aq më tepër është një mision i cili nga raportimet e fundit është përfshirë edhe nga korrupsioni e nepotizmi e aferave të tjera, për shkak se nuk ka asnjë logjikë që të jetë aktiv më tutje duke u bazuar në rezolutën e tejkaluar të Këshillit të Sigurimit 1244”, tha ai.

Fetoshi nënvizoi se prania e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë përbën ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës. 

“Do të ishte elementi më i rëndësishëm në drejtim të konsolidimit të shtetit të Kosovës, për shkak se UNMIK është bazuar në një rezolutë e cila tashmë është tejkaluar. Mandati i UNMIK në Kosovë lidhet me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe pas shpalljes së pavarësisë praktikisht UNMIK në Kosovë është një ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës”, tha ai.

Më 21 tetor, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është diskutuar për Kosovën, ku SHBA-ja dhe disa vende të tjera kanë deklaruar se misioni i UNMIK-ut nuk është më i nevojshëm dhe po shpenzon shumë pa pasur ndikim real në Kosovë.

Të ngjashme